Shpesh prindërit fajësojnë fëmijët për zakonin e ecjes zbathur në parqe, plazh, shtëpi apo edhe në baltë. Ky është një reagim i natyrshëm nga prindërit pasi kanë frikë së fëmijët e tyre mund të sëmuren.
Por tanimë ka ardhur koha që prindërit ta lënë pas këtë frikë tërësisht të pabazuar, pasi ekspertët theksojnë se ecja zbathur nxit zhvillimin e trurit dhe zhvillimin ndijor tek fëmijët.
Sistemi ndijor është sistemi kryesor që lejon zhvillimin e trurit, pasi me anë të 5 shqisave; kontaktit, shikimit, dëgjimit, erës dhe shijes, fëmijët krijojnë lidhjet e para neurologjike dhe zhvillojnë autonominë e tyre.
Kjo fazë përkon me fillimin e koordinimit të lëvizjeve dhe për këtë arsye është thelbësore që të rriten sa më shumë që është e mundur ndërveprimet që fëmijët kanë me botën.
Ecja zbathur i ndihmon ata në zhvillimin e aftësisë për të perceptuar lëvizjet dhe pozicionin e trupave tanë në hapësirë. Kështu që duke i lejuar ata të ecin zbathur, do të thotë t’u japim mundësinë për të zbuluar dhe stimuluar të gjitha shqisat.
Rae Pica, eksperte në edukimin e fëmijëve tha: “Këmbët janë pjesët më të pasura me nerva në trupin e njeriut, që do të thotë se ato kontribuojnë në ndërtimin e rrugëve neurologjike në tru.
Prandaj, duke i detyruar fëmijët që të ecin gjithmonë me këpucë, do të thotë që po iu eliminojmë atyre të gjitha llojet e mundësive për të krijuar lidhje të reja nervore”.
Ekspertja thekson se në shtëpi, në plazh ose gjatë një shëtitje në fshat duhet të lejojmë fëmijët të ecin zbathur, pasi ata mund të pasurojnë sistemin ndijor dhe të kenë një zhvillim më të shpejtë dhe më të plotë të trurit.