Lëndimi i Rodrit godet ambiciet e Cityt për trofe

Mesfushori i Manchester Cityt, Rodri, do të ketë teste të tjera pas lëndimit të gjurit. Ai pritet të mungojë për kohë të gjatë.

28-vjeçari ka udhëtuar për në Spanjë të hënën për testet e para, pas lëndimit që e pësoi herët në ndeshjen e së dielës të Cityt me Arsenalin.

Raportohet se Rodri do të mungojë gjatë dhe se nuk do të luajë më në edicionin 2024/2025.

Rodri është njëri prej favoritëve për ta fituar Topin e Artë muajin e ardhshëm, çmim që i jepet futbollistit më të mirë në botë. Nga shumë njerëz konsiderohet futbollisti me ndikimin më të madh te Manchester City.

Kampioni në fuqi i Anglisë nuk ka humbur në 48 ndeshjet e fundit në Premier League, në të cilat spanjolli ka startuar. Rodri u shpall lojtari më i mirë i Evropianit në Gjermani, të cilin e fitoi Spanja.

City i humbi katër prej pesë ndeshjeve të edicionit të kaluar, në të cilat Rodri mungoi. Rodri ka pësuar vetëm një humbje në të gjitha garat, duke mos llogaritur ndeshjet që përfunduan me penallti. Bëhet fjalë për finalen e Kupës FA, të cilën City e humbi 2:1 nga Manchester Unitedi.

Kjo dëshmon se sa i rëndësishëm është Rodri për skuadrën e Pep Guardiolas dhe sa e madhe mund të jetë mungesa e tij afatgjate.

Pasi Rodri debutoi për Cityn në vitin 2019 në ndeshjen e Superkupës ndaj Liverpoolit, bashkëlojtari Kevin de Bruyne i përshkroi ato si “plotësisht të përshtatshëm” për ekipin.

De Bruyne nuk gaboi.

Prej se erdhi nga Atletico Madridi, ndikimi i Rodrit ishte i jashtëzakonsahëm. City ka humbur vetëm 11 për qind të ndeshjeve me të në fushë dhe 24 për qind të ndeshjeve pa spanjollin në fushë.

Me Rodrin në përbërje, City fiton 2,36 pikë për ndeshje, duke llogaritur të gjitha garat. Pa të në fushë, skuadra e madhe angleze fiton 2,04 pikë.

Kështu që nëse Rodri mungon gjithë edicionin në Premier League, bazuar në këto përqindje, City do të përfundonte me 80 pikë, krahasuar me 91 pikë që do të mund të fitonte duke luajtur Rodri çdo javë.

Në tri prej katër edicioneve të fundit, 91 pikë kanë mjaftuar për të fituar titullin.

Skuadra e fundit që fitoi titullin me 80 apo më pak pikë, ishte Manchester Unitedi në vitin 2011. City, me Roberto Mancinin në krye, kishte përfunduar i treti atë edicion.

Pse Rodri është kaq i rëndësishëm?

Çka e bën Rodrin kaq efektiv? Thjesht, ai e fiton topin nga kundërshtari dhe e pason te një lojtar tjetër i ekipit të tij. Këtë e bën me saktësi shumë të madhe. Që nga debutimi në një fitore 5:0 ndaj West Hamit, vetëm mesfushori i Arsenalit, Declan Rice, ka fituar topin më shpesh. Askush nuk e ka fituar topin më shumë se Rodri në pjesën qendrore të fushës dhe vetëm shtatë lojtarë kanë bërë më shumë ndërhyrje gjatë kësaj kohe.

Leximi që Rodri i bën lojës dhe natyra luftarake e tij kanë bërë që mbrojtja e Cityt të jetë dukshëm më e fortë. Në 73 prej 260 paraqitjeve të Rodrit, City nuk ka pranuar gol.

Por, Rodrin më së shumti e dallon mënyra se si e përdor topin. Prej se u transferua në Premier League, spanjolli ka kompletuar gati 2000 pasime më shumë se çdo lojtar tjetër në ligë. Ylli i Cityt bëri 13 mijë e 699 pasime në total. I dyti në listë është Lewis Dunk i Brightonit me 11 mijë e 952 pasime.

Ai ka më së shumti pasime të suksesshme në fushën e kundërshtarit dhe në pjesën qendrore të fushës. Saktësia e pasimeve të tij është 91,9 për qind. Kjo është dëshmi që Rodri rrallë e humb topin, ndonëse shpesh e pason thellë në fushën e kundërshtarit.

Opsione të shumta, por a do të zëvendësohet Rodri?

Pep Guardiola nuk e ka fshehur kurrë mendimin e tij se Rodri është i pazëvendësueshëm te Manchester City.

Kalvin Phillips është lojtari që mendohet se do të mund ta zëvendësonte deri diku Rodrin. Por Guardiola ka kohë që ka vlerësuar se Phillips nuk është mjaftueshëm i mirë. Ai është aktualisht i huazuar tek Ipswich dhe nuk mund të kthehet deri në janar. Kjo do të thotë se Guardiola duhet të bëjë ndryshim në formacion dhe të luajë me dy mesfushorë defansivë.

Mateo Kovaçiq mund ta mbulojë atë pozitë, por nuk është opsioni i vetëm. Qendërmbrojtësi John Stones ka luajtur në pak raste si mesfushor mbrojtës. Por më pas është kthyer në mbrojtje. Ilkay Guendogan u përdor në atë pozitë shumë shpesh para se të largohej për te Barcelona në vitin 2023. Bernardo Silva gjithashtu ka luajtur para mbrojtjes, ndërsa këtë e ka bërë disa herë edhe Kevin de Bruyne.

Është edhe 19-vjeçari Rico Lewis, për të cilin Guardiola tha se mund të mbulonte disa pozita.

Humbja e Rodrit për kohë të gjatë është goditje e rëndë për Cityn. Por vlerësohet se Guardiola mund t’ia dalë. Ndonjë lëvizje nuk përjashtohet në afatin e janarit, nëse konfirmohet që për Rodrin ka përfunduar edicioni.