Ballina Autorë Opinione Leave Parents (Mothers) Alone!

Leave Parents (Mothers) Alone!

PhD Merjeme Gashi

Për prindërimin nisa të lexojë ende pa u bërë prind. Leximet u intensifikuan pasi u bëra nanë. Rrashë në grackën e “ekspertëve” të prindërimit deri sa arrita ta shoh më ndrysh, më gjerësisht por edhe më specifikisht situatën, sepse në pyetje isha unë dhe fëmija im e jo unë, fëmija im dhe të tjerët, ekspertët, profesionalistët, pseudo psikologët apo nanat influecer-e dhe përvojat e tyre. Kohëve të fundit jam duke lexuar më shumë mbi një korpus të gjerë të literaturës akademike e cila kritikon diskursin që e sheh prindërimin si një punë të vështirë që duhet kryer nën vëzhgimin e ekspertëve dhe që i bën prindërit të ndjehen edhe deficit por edhe fajtor për moskryerjen mirë të punës.
Studiuesit e prindërimit nga perspektiva historike dhe sociologjike sugjerojnë se “prindërimi” si term së pari u përdor në vitet e 1950-ta në fusha specifike si nga psikologët dhe autorët tjerë të lëmisë së librave vetëndihmës (self-help).
Përkundrazi, shndërrimi i emrit “prind” në foljen “prindërim” ka ndodhur nëpërmjet një procesi sociokulturor që përqendrohet në besimin se “prindërimi” është një sferë shumë e rëndësishme dhe problematike e jetës shoqërore. Në të vërtetë, “prindërimi” diskutohet pothuajse gjithmonë si një problem social dhe në një farë mënyre prindërit fajësohen për shumë sëmundje shoqërore.
Ndërsa në vitet 1970-të shihet një vrull në rritje të përdorimit të gjuhës mbi “prindërimin”. Kjo gjuhë e re vë në shënjestër sjelljen e prindit si të mangët dhe gjithashtu e sheh “prindërimin” në përgjithësi si një detyrë ose “punë” pa ndonjë kënaqësi por që duhet kryer nën vështrimin vigjilent të ekspertëve.
Frank Furedi autori i librit Paranoid Parenting (2001), si nëntitull kishte pa të arsyeshme të shtonte edhe diçka tjetër; Why Ignoring the Experts May Be Best for Your Child (Pse injorimi i ekspertëve mund të jetë gjëja më e mirë për fëmijët tuaj). “Kushdo që shpiku termin prindërim nuk ishte i interesuar në radhë të parë për jetën e fëmijëve”, thotë Furedi. “Deri kohët e fundit, termi prind i referohej ekskluzivisht aktit të lindjes së një fëmije dhe fitimit të statusit të ri prind. Përderisa sot prindërimi përdoret për të përshkruar sjelljen e nënave dhe baballarëve.”
Prindërit pritet të veprojnë si pseudo-mësues, duke optimizuar inteligjencën e fëmijëve të tyre përmes një sërë aktivitetesh jashtëshkollore. Ky ankth dhe kjo pasiguri intensive rreth rritjes së fëmijëve nuk është vetëm negativ për të rriturit, por është negativ edhe për brezin e ardhshëm.
Kështu që, a ka mundësi me i lënë prindërit të qetë, sidomos nanat sepse ato janë të parat që janë target fajësimi sa herë nuk shkon diçka në rregull, “në rregull” me fëmijën e saj!

PhD Merjeme Gashi

Exit mobile version