Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të paraqes pengesë në procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pavarësisht thirrjeve nga aleatët e jashtëm që ky transformim mos të bëhet në mënyrë të njëanshme.
Një nga zyrtarët e lartë të kësaj partie ka thënë se gjatë një takimi që kanë mbajtur anëtarët e Kryesisë së LDK-së, është vendosur që LDK-ja ta mbështesë nismën e presidentit Hashim Thaçi, në mënyrë që mos të shihet si ‘parti e paguximshme’, ashtu siç po pretendohet të paraqitet nga partitë e tjera.
Në frymën e kësaj është thënë se fillimisht Qeveria do të jap mendim pozitiv për Projektligjin për FSK-në, megjithëse, është konstatuar se në të ka plot mangësi.
Në fakt, ekzekutivi i drejtuar nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, qysh të premten ua ka përcjell projektligjin tri ministrive që janë të thirrura për të dhënë mendimin e tyre mbi këtë dokument.
Zyrtari i LDK-së ka shpjeguar se një nga anëtarët e Kryesisë ka propozuar që kur Projektligji të procedohet në Kuvend, shefi i Grupit parlamentar të LDK-së të kërkojë që shqyrtimi i projektligjit të bëhet në procedurë të përshpejtuar- pra të dyja votimet të kryhen brenda të njëjtës ditë.
“Mirëpo, ky propozim nuk ka gjetur mbështetje, pasi është vlerësuar se është më mirë të krijohet një hapësirë e ndërmjetme kohore për të parë reagimin e miqve të jashtëm. Nëse pas leximit të parë vërehet se vërtet po rrezikohen marrëdhëniet me shtetet mike, atëherë deputetët tanë të kenë mundësi që gjatë leximit të dytë, mos t’i ndihmojnë me votë përkeqësimit të këtyre raporteve”, ka thënë ky zyrtar.
AktivPress ka provuar të marr një qëndrim zyrtar nga disa prej figurave kryesore të kësaj partie, por i vetmi që ka folur ka qenë nënkryetari, Haki Rugova.
Ai ka thënë se nuk mund të shtoj asgjë më shumë se ato që janë thënë në komunikatën të cilën e ka lëshuar LDK-ja rreth formimit të ushtrisë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, ka lëshuar një komunikatë për media, në të janë të gjitha përgjigjet, unë nuk mund të ju them më tepër”, ka thënë Rugova.
Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se do të jap dorëheqje nëse nuk votohet në Kuvend Projektligji për Ushtrinë e Kosovës. Thaçi ka theksuar se nuk ka kthim mrapa nga vendimi për ushtrinë