Lidhja Demokratike e Kosovës ka shkarkuar sot nga partia deputetin Haxhi Avdyli dhe tre zyrtarë të tjerë partiakë.
Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Kryesisë së LDK-së në Prizren.
Të shkarkuar nga partia, përveç Haxhi Avdylit, janë edhe: Arsim Berisha, Artan Hoxha dhe Fadil Berisha.
Sipas vendimit të Kryesisë së LDK-së në Prizren, ata janë shkarkuar “për shkak të angazhimit në iniciativa tjera politike, nuk përfaqesojnë më Lidhjen Demokratike të Kosovës, prandaj i lirojmë nga të gjitha përgjegjësitë që i kishin në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Dega në Prizren”.
“Kundër këtij vendimi, palët e pakënaqura mundë të bëjnë ankesë, në instancën më të lartë të partisë, në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, në afat prej 15 ditësh, nga data e shpalljes së këtij vendimi”, thuhet në vendim.
Haxhi Avdyli ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Kosovës në dy mandatet e fundit të legjislativit. Ai shpeshherë ka kritikuar hapur udhëheqësit e LDK-së dhe ka dal kundër qëndrimeve partiake.