Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka shprehur bindjen se as pasardhësit biologjikë e askush tjetër nuk mundet ta dëmtojë trashëgiminë historike të Ibrahim Rugovës.
Madje, duke folur në Interaktiv të KTV-së, ajo ka thënë se LDK-ja e ka të drejtën ekskluzive mbi këtë trashëgimi, sepse Ibrahim Rugova ishte themelues i kësaj partie.
Bajrami ka thënë se nuk do që ta paragjykojë votën e bijës së Ibrahim Rugovës, Teutës, për PAN-in, por ka thënë se në rast të tillë ajo do të ishte kundër frymës rugoviane.
“Pasardhësit e tij biologjik nuk mund ta dëmtojnë trashëgiminë historike. Askush nuk mund ta dëmtojnë trashëgiminë politike e historike të Ibrahim Rugovës. Qytetarët e kanë të qartë se askush nuk mund ta dëmtojë këtë trashëgimi”, ka thënë Bajrami.
Deputetja që në mandatin e kaluar ka qenë ministre e Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë se presin që Teuta Rugova të reflektojë, sepse vota e saj pro shtyrjes së seancës nuk është ndonjë indikacion i qartë.
“Për ta gjykuar Teutën duhet të presim se si do të sillet ajo kur të vie puna për të votuar kryeparlamentarin. Por nuk ka presion që e justifikon votën e saj kundër partisë, kundër frymës rugoviane, sepse nëse është kundër LDK-së është kundër frymës rugoviane. LDK-ja e ka ekskluzivitetin e trashëgimisë rugoviane”, ka thënë Bajrami.
“Në saje të LDK-së ajo është bërë deputete. Kërkoj falje nëse po paragjykojmë sepse ende nuk kemi parë se si do të votojë ajo kur të vjen vendimi për PAN-in, por ne presim që ajo të reflektojë”, ka shtuar ajo./Mesazhi/