LDK-ja cakton datën për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor, s’ka emra për kryetar të ri

Lidhja Demokratike e Kosovës më 14 mars do ta mbajë Kuvendin Zgjedhor për kryetarin e ri të partisë.

Sekretari organizativ i LDK-së, Arban Abrashi, ka thënë se kanë filluar përgatitjet për mbarëvajtjen e këtij procesi, ndërsa mohon të jetë diskutuar për emra të kandidatëve.

“Kryetari në dorëheqje i partisë e ka ftuar mbledhjen e kryesisë për përgatitjen e Kuvendit Zgjedhor për kryetarin e ri të LDK-së. Është data 14 mars ku parashihet të mbahet Kuvendi Zgjedhor për kryetarin e ri të LDK-së. Nuk kemi biseduar për emra, ka qenë takim më shumë teknik për datën. Do shohim vullnetin e kryetarëve të degëve, por pamë se 14 marsi është datë më e përshtatshme”, tha Abrashi.

Ai tha se Isa Mustafa ka ofruar dorëheqjen ndërsa se kryesia “është teknikisht në dorëheqje por Këshilli i Përgjithshëm e ka caktuar dhe deri në zgjedhjet e ardhshme qëndrojnë në këto pozita”.

Detaje për takimin s’ka dhënë as Isa Mustafa. Ai ka thënë se tash për tash “s’ka emra për kryetar të ri të LDK-së”.