Lidhja Demokratike e Kosovës njofton opinionin se dezinformatat e publikuara në një “portal“ dhe të shpërndara në disa rrjete sociale për gjoja takimin e kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, me kryetarin e PDK-së, janë të rreme dhe kanë për qëllim dëmtimin e imazhit të tij një ditë para zgjedhjeve.
Në njoftim thuhet se, LDK, për të dytën ditë me radhë, e fton Prokurorinë dhe policinë që konform mandatit të tyre ligjor, të hetojë dhe të ndalojë manipuluesit e opinionit publik, të fshehur pas gjoja një portali kosovasot.live.
Publikimi i fotografive të montuara dhe lajmeve të rrejshme, shkelë rëndë rregullat zgjedhore dhe për këtë arsye Prokuroria dhe policia duhet t’i ndërmarrin veprimet e tyre kushtetuese dhe ligjore.
Kandidati i djathtë për kryeministër, Avdullah Hoti, nuk ka takuar kryetarin e PDK-së dhe as që e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë, ndërsa fotografia e portalit të rrejshëm (fake news) është e montuar.
LDK fton të gjitha subjektet politike që të respektohet heshtja zgjedhore dhe t’i lihet sovranit në dorë që të vendosë për fatin e tij.
LDK i fton të gjithë simpatizantët dhe qytetarët që të respektojnë heshtjen zgjedhore dhe të mos bien pre e manipuluesve të opinionit publik, përfundon kumtesa e LDK.