Lavrov: Veprimet e SHBA-së e sollën Lindjen e Mesme në prag të një lufte të madhe

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov deklaroi se veprimet e SHBA-së e kanë sjellë rajonin e Lindjes së Mesme në prag të një lufte të madhe, transmeton Anadolu.

Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë njoftoi se Lavrov mori pjesë në Konferencën e 2-të Ndërkombëtare për Sigurinë Euroaziatike të mbajtur në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk.

Në fjalën e tij, Lavrov deklaroi se SHBA-ja dhe aleatët e saj po përpiqen ta kthejnë rajonin euroaziatik në një zonë lufte gjeopolitike. “Stabiliteti në rajonin euroaziatik mund të arrihet me garanci afatgjata të sigurisë”, tha ai.

Lavrov theksoi se Perëndimi po përpiqet të destabilizojë situatën në rajone të tjera. “Perëndimi po kryen veprime destruktive kundër Kaukazit Jugor dhe po përpiqet të vendosë rregullat e veta në procesin e përmirësimit të marrëdhënieve midis Azerbajxhanit dhe Armenisë”, tha ministri rus.

– “Perëndimi hesht për Gazën”

Duke kritikuar qasjen e SHBA-së ndaj Lindjes së Mesme, Lavrov tha: “Tërheqja e njëanshme e SHBA-së nga marrëveshja bërthamore e Iranit e miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe përpjekja e saj për të monopolizuar procesin e zgjidhjes së çështjes arabo-izraelite ka çuar në pasoja katastrofike. Kjo e solli rajonin e rëndësishëm në prag të paqëndrueshmërisë dhe një lufte të madhe”.

Lidhur me situatën në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, kryediplomati rus tha: “Numri i civilëve palestinezë të vrarë në një vit si rezultat i operacionit të Izraelit është dy herë më i lartë se numri i vdekjeve nga të dyja palët në 10 vitet pas grushtit të shtetit në Kiev”.

“Perëndimi mbetet i heshtur për Gazën. Administrata e Bidenit bllokon çdo iniciativë që do t’i japë fund tragjedisë së popullit palestinez”, tha ai.

– Takimet dypalëshe të Lavrovit

Lavrov u takua me homologun e tij bjellorus, Maksim Ryzhenkov në kuadër të konferencës në Minsk.

Gjatë takimit, ku u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet ndërkombëtare, të dy ministrat theksuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit të mbrojtjes dhe sigurisë ndërmjet Rusisë dhe Bjellorusisë.

Lavrov u takua gjithashtu me zëvendëskryeministrin serb, Aleksandar Vulin me të cilin diskutoi për situatën në Ballkan.