Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, ka kërkuar të fillojë “puna e vërtetë” për krijimin e shtetit palestinez, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në Moskë, pas një takimi me homologun e tij nigerian, Yusuf Tuggar, ministri Lavrov tha se ata diskutuan situatën e vështirë në Lindjen e Mesme, duke u fokusuar në tragjedinë që po shtrihet në Rripin e Gazës.
“Ne qëndrojmë për konsolidimin e përpjekjeve ndërkombëtare për një armëpushim të hershëm dhe krijimin e kushteve të nevojshme për ofrimin e ndihmës humanitare për të gjithë ata që kanë nevojë, si dhe për fillimin e punës reale dhe jo për t’u dukur për krijimin e një shteti palestinez në linjë me vendimet e marra nga Këshilli i Sigurimit dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së”, tha Lavrov.
Sulmet izraelite në enklavën palestineze, të nisura pas inkursionit ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023, kanë vrarë mbi 30 mijë palestinezë dhe kanë krijuar kushtet për një uri.
Pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, herë pas here ka përsëritur kundërshtimin e tij ndaj shtetit të pavarur palestinez.
Lavrov tha se situata në Sudan, ku ushtria dhe RSF-ja paraushtarake janë të bllokuar në një konflikt për gati një vit, ishte gjithashtu në agjendën e takimit. Moska, theksoi ai, mbështet ndërmjetësimin e Unionit Afrikan që synon t’i japë fund luftimeve.
“Në çdo rast, Rusia po jep dhe do të vazhdojë të japë një kontribut konstruktiv në përpjekjet e afrikanëve dhe komunitetit ndërkombëtar në tërësi për të stabilizuar situatën në rajonin Sahara-Sahel. Ne do të ndihmojmë vendet në këtë territor në përmirësimin e aftësitë luftarake të forcave të tyre të armatosura kombëtare, të sigurisë dhe të agjencive të zbatimit të ligjit në mënyrë që të zmbrapsin kërcënimet e vazhdueshme”, tha Lavrov.
Ministri Tuggar, nga ana e tij, tha se Nigeria shikon zhvillimin e marrëdhënieve tregtare dhe bashkëpunimin ushtarak me Rusinë.
“Së shpejti do të formohet një komitet për zbatimin e këtyre synimeve. Ne kemi bashkëpunim edhe në energjinë bërthamore dhe mjekësi dhe ne me të vërtetë duam ta zhvillojmë këtë bashkëpunim”, tha Tuggar.