Ballina Artikuj Largpamësia e Imam Ebu Hanifes

Largpamësia e Imam Ebu Hanifes

Dr. Ed´hem Sherkaui

Ebu Jusufi, nxënësi më i dalluar i Ebu Hanifes, tregon: Babai im vdiq dhe më la të ri në prehrin e nënës sime, kështu që ajo më dërgoi te një rrobaqepës që të mësoja zanatin e tij. Mirëpo, unë e lija rrobaqepësinë dhe shkoja te mexhlisi i Ebu Hanifes. Nëna vinte në xhami, më kapte për dore dhe më kthente prapë te rrobaqepësi.

Ebu Hanife më mbante pranë vetes dhe më mësonte, sepse ai shihte tek unë dashurinë për diturinë, kështu që unë mungoja vazhdimisht nga mësimi i rrobaqepësisë. Një ditë, nëna erdhi në xhami dhe i tha Ebu Hanifes: Ju dëshironi të ma shkatërroni djalin tim, ai është jetim dhe ju po e shpërqendroni atë nga ajo që e kam dërguar! Ebu Hanife i tha: Lëreni, ai po mëson të hajë gjalpë kikiriku!

Ajo i tha: Gjalpë kikriku nuk ha askush përveç Kalifit, ti je plakur dhe e ke humbur mendjen!

Kështu që unë nuk iu ndava Ebu Hanifes dhe mësova prej tij derisa vdiq. Kur vdiq – Zoti e mëshiroftë – e zëvendësova në mexhlisin e tij. Kështu u bëra i famshëm dhe fama ime u përhap gjithandej. Al-Rashidi (Kalifi) më dërgoi ftesën dhe më emëroi kadi (gjykatës)! Një ditë e vizitova në dhomën e tij të pritjes dhe shërbëtorët i sollën ushqim. Ai ma ofroi mua dhe më tha: Ha, Ebu Jusuf! Kështu hëngra ushqim që nuk e kisha shijuar kurrë më parë. Më tha: A e di çfarë ke ngrënë? Unë thashë: Jo. Ai më tha: Ky është gjalpë kikiriku!

Unë buzëqesha, kështu që ai më pyeti se çfarë më bëri të qeshja, kështu që i tregova historinë e nënës sime dhe Ebu Hanifes. Ai tha: Zoti e mëshiroftë Ebu Hanifen, ai e shihte me sytë e mendjes atë që njerëzit nuk e shihnin me sytë e ballit!

Ajo që arriti Ebu Jusufi – pas mirësisë së Zotit – ishte përkrahja e vazhdueshme e mësuesit të tij vizionar, Imam Ebu Hanifes. Sikur Ebu Hanifja mos të kujdesej për të dhe ta linte në duart e nënës, do të bëhej rrobaqepës i zakonshëm dhe do të kishte vdekur pa dëgjuar askush për të. Momenti i besimit të shejhut në studentin e tij, bëri që ai të emërohej gjykatës i lartë, dhe pozita e tij e solli atë në këshillin e Kalifit. Ai la për ne një kapital të çmuar të dijes së tij, dhe po të mos ishte ky besim tek tjetri, jo vetëm që Ebu Jusufi nuk do të ishte përmendur fare, por do të kishte humbur jurisprudenca (fikhu hanefi) që sot e kemi në duart tona. E gjithë kjo, është fryt i besimit dhe largpamësisë së Ebu Hanifes!

Shumë njerëz të talentuar dhe gjeni janë zhdukur, sepse nuk gjetën njeri që besonte në to, që t’i hiqte nga dynjaja dhe t’i vinte në rrugë!

Më mërzisin shumë disa prindër që kur fëmiu i tyre blen një libër, i thonë: Nëse të kishe blerë një kafshatë për të ngrënë ose një këmishë për ta veshur do ishte më mirë..!! Në vend që ta inkurajonin, ata ia thyejnë krahët, e demoralizojnë dhe më vonë thonë për të, se ai nuk fluturon lart si fëmijët e të tjerëve dhe nuk lundron aq thellë sa filani! Si dëshironi që ai të fluturojë kur i keni prerë krahët dhe keni rrënuar tek ai një talent që duhet ta kishit zhvilluar për të!

Më shqetëson fakti kur disa prindër i shtyjnë fëmijët e tyre të studiojnë për mjekësi ose inxhinieri kur duan një tjetër drejtim. E kuptoj plotësisht dashurinë e prindërve dhe se ata duan më të mirën për fëmijët e tyre, por kush thotë se më e mira është ajo që bën më shumë para? Përse ne duam t’ua vjedhim jetën e fëmijëve tanë? Ky është egoizëm, edhe nëse është i motivuar nga dashuria, e nuk dyshoj se dashuria ekziston, por ndonjëherë dashuria vret!

Nuk ka asgjë më mizore se të shkatërroni ëndrrat dhe talentet. Mbillni një pendë shtesë në krahët e tyre, edhe nëse talenti i tyre është në diçka që ju nuk besoni. Të gjithë e njohim Mutenebiun, por askush nuk e njeh njeriun më të pasur të kohës së tij! Të gjithë e njohim Da Vincin, por nuk e njohim mjekun më të famshëm të kohës së tij! Çfarë kënaqësie do të kishim humbur nëse Luka Modriç do të kishte studiuar inxhinieri në vend që të luante futboll, dhe nëse Muhamed Muteveli Sharavi do të kishte qenë mjek!

Dr. Ed’hem Sherkawi

Nga arabishtja: E. Koshi

Exit mobile version