SpaceX ka lançuar me sukses raketën më të fuqishme në botë, Falcon Heavy, e cila kishte marrë me vete në orbitë automjetin e kuq nga prodhuesi Tesla, që është në pronësi të drejtorit të saj, Elon Musk, raporton Anadolu Agency (AA).
Me gjithsej 27 motorë, Falcon Heavy është raketa më e fuqishme në botë, por njëkohësisht është edhe raketa më e madhe e prodhuar nga një kompani private.
Falcon Heavy mund të bartë me vete në orbitë 63.500 kilogram ngarkesë, që është dyfishi nga që mund të bartë ndonjë raketë tjetër.
SpaceX bën me dije se raketa e tyre mund të mbajë ngarkesën masive me një kosto tre herë më të lirë nga që bën raketa e dytë për nga fuqia, “Delta IV Heavy”, e ndërtuar nga rivali i SpaceX, United Launch Alliance.
Musk ngarkoi një video të incizuar nga raketa, e cila shfaq automjetin e kuq duke orbituar rreth tokës. Në timonin e automjetit Tesla, kishin ulur një kukull.
Planet e para të SpaceX për prodhimin e Falcon Heavy ishin bërë në vitin 2011, me qëllim që e njëjta të lançohet në vitin 2013 ose 2014.
Megjithatë vonesat në prodhim, dhe dështimet në disa nga raketat e SpaceX, bën që lançimi të bëhet me disa vite vonesë.