Ministria e Ekonomisë ka lansuar Ankandin e Parë të Erës prej 100 MW në Kosovë, me përkrahje të Korporatës Ndërkombëtare Financiare si këshilltar kryesor i transaksionit dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti tha se ekonomia e Kosovës po rritet, teksa theksoi rëndësinë e investimeve në kapacitete të reja të energjisë.
“Këtë vit të suksesshëm për sektorin e energjisë po e mbyllim edhe me një sukses, hapjen e ankandit të parë të erës. Ekonomia jonë po rritet me ritmin më të shpejtë në rajon, me rritjen e bruto produktit në 6.36%. Sot kemi dyfishim të eksporteve dhe investimeve të huaja direkte. Kjo rritje reflektohet edhe në rritjen e konsumit të energjisë nga bizneset. E pa dyshim që rritja ekonomike duhet të përcillet me rritje të kapaciteteve energjetike. Dy vite më parë, agresioni i Rusisë në Ukrainë kishte shkaktuar një krizë energjetike. Kësisoj e kuptuam se varësia nga importi i energjisë është i rrezikshëm jo vetëm për ekonominë por edhe sigurinë kombëtare”, tha kryeministri.
Tutje i pari i ekzekutivit vijoi se sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit ua ka bërë me dije rëndësinë për fuqizimin energjetik.
“Sulmi ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e Ibër Lepencit na e bëri me dije se sa është e rëndësishme që ne të forcohemi edhe në kuptimin energjetik. Andaj shumëfishimi i burimeve të energjisë, nuk është zgjidhje vetëm për sektorin e energjisë por edhe për të mbrojtur pavarësinë energjetike të Kosovës”, shtoi ai.