Lamtumirë arat e mia!

Shkruan: Mehdi Mulaj

Asnjëherë nuk desha të ju braktis, në ju mbolla prodhimin që i vinte erë Kosove. Sa bukur dukeshit të gjelbëruara. Nuk kurseva asgjë, hyra borxheve për t’u pajisur me mjete pune vetëm që ju të buzëqeshni e të këndoni.

Këmbët më janë lodhur, duart më janë mpirë duke punuar punë krahu, por kurrë s’u dorëzova. Ju ma zbardhët fytyrën, ma ruajtët dinjitetin, ashtu siç u mundova edhe unë t’jua jap hakun.
Por…

Me dhemb shpirti kur prodhimin tuaj e shoh tek prishet në hambarë. Askush po e blen. Tregu është mbushur me prodhime të vendeve tjera. Nuk po paguhet as djersa ime. Nuk e merituam kështu, as unë, as ju, arat e mia!

Mos me shikoni ashtu, ju e dini se nuk po largohem nga qejfi, por për ta ruajtur dinjitetin njerëzor. Do të shkoj atje ku ara dhe bujku jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin.
E di…

Po ju lë shkret, po ju lë ashtu siç nuk ju kam paramenduar kurrë. Do të me mungoj aroma juaj, arat e mia! Do t’ju ëndërroj çdo natë, do të flas me juve çdoherë, por me zemër.

Do t’u flas të tjerëve për ju…, por uroj të mos me pyesin se pse nuk jam afër jush, sepse do të pëlcas nga vaji! Mos u mërzisni, nuk jemi shumë larg, e ndajmë një planet.
Mos harroni…

Ju jeni arat më të bukura; prej jush e ushqeva familjen dhe fëmijët e vendit tim, por me prodhime me erë Kosove, aty ku buka ka shije, aty ku krojet ta flladitin shpirtin, e ku zogjtë u këndojnë dëshmorëve mbi varre.

E ju mos u ligni, por qëndroni me dinjitet, si gjithmonë! Pushtetet shkojnë e vijnë, por ju mbeteni, arat e mia! Dashuria vertikale do të kujdeset për ju, do t’ju mbrojë e do t’ju kultivojë!
E unë…

Po largohem pa adresë, në kërkim të njerëzores, të vlerësimit si qenie, si familje – të cilat një shtet normal do të duhej t’ia ofronte qytetarit të vet.
Në çdo rrugë do ta shoh imazhin tuaj, arat e mia! Do të kthehem sigurisht, qoftë për herë të fundit, e të jetoj me ju në përjetësi!

Lamtumirë arat e mia!

Të fala nga bujku matanë kufirit!

Kushtuar ikjes masive të qytetarëve kosovarë drejt vendeve perëndimore, në mungesë të një perspektive minimale në shtetin e vet!