Lajçaku vlerëson idetë e Osmanit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar presidentin e Kosovës, Vjosa Osmani, në përmbyllje të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Lajçak ka vlerësuar idetë që ka thënë se Osmani i ka dhënë për zbatimin e Aneksit të Ohrit.

“Para se të kthehem në Bruksel, takova presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për të diskutuar situatën aktuale në procesin e normalizimit. Vlerësova mendimet dhe rekomandimet e saj për mënyrën se si të zbatohet Marrëveshja e Ohrit”, ka shkruar ai në platformën X.

Lajçak pati takuar dy ditë më parë edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për zhvillimet e fundit në kuadër të dialogut dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Këtë mëngjes fola me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Diskutuam në detaje për ngjarjet e fundit në dialog dhe nevojën për riangazhimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në dritën e Planit të Rritjes së BE-së për rajonin”, pati shkruar Lajçak në rrjetin social X.