Lajçaku rendit kërkesat e BE-së: Përgjegjësi për “Banjskën”, Asociacioni e njohja e simboleve të Kosovës

Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka renditur temat që kanë diskutuar me kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq të martën në Bruksel.

Të dyja shtetet u dakorduan për komisionin e përbashkët për të zhdukurit. Në një shkrim në X, Lajçak është shprehur i lumtur për dakordimin duke thënë se është hap i rëndësishëm e se së shpejti do të organizohet mbledhja e parë e komisionit të përbashkët.

Kosova e Serbia dakordohen për komisionin e përbashkët për të zhdukurit
Në takimin trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, është arritur marrëveshja për të pagjeturit.

Lajçaku ka thënë se ua ka kujtuar Bislimit e Petkoviqit se normalizimi i raporteve do të thotë integrim në BE dhe se s’ka shkëputje mes të dyjave.

Ai ka thënë se kanë diskutuar edhe për hapat që duhen bërë për të implementuar Marrëveshjen e Ohrit, sipas konkluzave të Këshillit Evropian.

“Depërshkallëzimi, përgjegjësia për sulmet e 2023-s, riintegrimi i serbëve të Kosovës, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe njohja e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës”, kanë qenë çështjet e përmendura nga ai.