Lajçak sot shkon në Beograd

I dërguari posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, sot do të shkojë në Beograd, si pjesë e turit të vizitave në këto dy vende.

Diplomati sllovak pritet të mbërrijë në kryeqendrën e Serbisë në orët e pasdites, ndërkohë që në orën 18:00 është paralajmëruar të takohet me presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur Zyra e Presidencës serbe.

Lajçak javën e shkuar ishte edhe në Kosovë për vizitë 3-ditëshe, ku takoi krerë të institucioneve dhe partive.

Lajçak priti mbajtjen e zgjedhjeve në Serbi për të bërë vizitën. Të dielën, partia e Vuçiqit (SNS) fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare, me mbi 63 për qind.

Lajçak, gjatë vizitës në Kosovë tha se vetëm pasi të vizitoi edhe Beogradin, do të tregojë për datën se kur do të rinisë dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja.