Lajçak paralajmëron fillimin e përgatitjeve për një takim Bislimi – Petkoviq

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar për javën që vjen nisjen e përgatitjes së një takimi në nivel kryenegociatorësh në mes Kosovës dhe Serbisë, që do të zhvillohet gjatë javëve të ardhshme.

Lajçak gjatë përmbledhjes së aktiviteteve të tij përmes një postimi në Facebook, paralajmëroi takim në mes Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit.

“Këtë javë që vjen, do të fokusohem në përgatitjen për takimin e radhës të negociatorëve kryesorë në Bruksel, të cilin do të dëshiroja ta organizoja në javët e ardhshme”, ka shkruar Lajçak, ku paraprakisht tregoi për vizitën e tij që kishte në Mal të Zi, këtë javë.

Lajçak gjatë një diskutimi të premten në Mal të Zi theksoi se nuk pritet të ketë progres në dialog para zgjedhjeve.

Ai ka theksuar se janë duke e përgatitur terrenin që të ketë përparim të shpejtë menjëherë pas zgjedhjeve.

“Të jemi realist Kosova do të ketë zgjedhje në shkurt. BE është në periudhë tranzicioni dhe mu kërkua që ta vazhdoj mandatin që të ketë vazhdimësi dhe procesi po vazhdon ne po takohemi në nivel të kryenegociatorëve, por përvoja tregon se nuk mund të presësh ndonjë rezultat në zgjedhje. Po e përgatisim terrenin për përparim të shpejtë menjëherë pas zgjedhjeve”, ka theksuar ai.