Lajçak: Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë mjaftueshëm progres në zbatimin e Marrëveshjes që u nënshkrua vitin e kaluar në Ohër dhe në Bruksel.

Ai, në panelin e diskutimit për procesin e dialogut Kosovë – Serbi në Forumin e Dubrovnikut, ka deklaruar kështu pasi Ana Brnabiq, kryetarja e Kuvendit të Serbisë në një letër ka thënë se Marrëveshja Bazike drejt normalizimit nuk është ligjërisht e obligueshme.

“Këtë vit përsëri duke prezantuar Bashkimin Evropian mund të ju jap definimin e normalizimit të marrëdhënieve. Domethënë siç është në dokumentet evropiane që do të thotë të lehtësosh, të ndihmosh Kosovën dhe Serbinë për të nënshkruar një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që do të normalizojë marrëdhëniet e tyre dhe do të zgjidhë çështjen ekzistuese të hapur mes tyre”, ka pohuar Lajçak.

Ai ka thënë se u takon palëve Kosovës dhe Serbisë që të përcaktojnë se çfarë do të thotë saktësisht normalizimi, “por mendoj se kur flasim për marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, kjo tregon vërtet shumë”.

“Së dyti, marrëveshjen që e arritëm në shkurt dhe mars të vitit të kaluar në Bruksel dhe në Ohër. Është një marrëveshje e cila është ligjërisht e detyrueshme dhe është dashtë të arrihet. Kjo ishte një njoftim për palët, ata ranë dakord për të për gjatë takimit tonë në Ohër. Ishte bërë në linjat me Konventën e Vjenës, që thotë një marrëveshje mund të arrihet nëpërmjet nënshkrimeve. Në këtë rast që ishte zyrtarizuar nëpërmjet një deklarate të Josep Borrell, BE-ja ka thënë disa herë ajo marrëveshje është ligjërisht e obligueshme”.

“Çka është relevante, është nëse ne kemi bërë progres në zbatimin e kësaj marrëveshjeje? Ne kemi bërë shumë pak progres në zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Lajçak.

Siç transmeton Klan Kosova, Lajçak është shprehur se është hapur një dritare e re rreth anëtarësimit të shteteve të reja në BE, por që kjo dritare nuk do të qëndrojë e hapur për gjatë kohë.

Kjo mundësi thotë Lajçak se, erdhi vonë, por se tani është në proces e sipër.

Lajçak përmendi edhe Planin e Rritjes, narrativen zyrtare për anëtarësim gradual dhe reformat për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Do të pajtohesha me ju nëse do të ma bëje këtë pyetje para dy vitesh, por jemi në një lojë tjetër tani dhe ministri Konakoviqi sapo e tha, dhe ka plotësisht të drejtë. Është një momentum i ri, që erdhi vonë, ndoshta 50 vjet me vonesë, por është këtu. BE-ja është serioze sa i përket anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor. BE-ja po merr hapa konkretë, Plani i Rritjes është një nga ta, narrative zyrtare për anëtarësim gradual është tjetër, plani i reformave për secilin partner në Ballkan Perëndimor. BE-ja po bëhet gati për të pranuar anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor, që nuk ka qenë ky rasti pesë vite më parë. Por kjo dritare e mundësisë nuk do të jetë e hapur përgjithmonë. Kemi motivim më të madh për partnerët tonë tani sesa kemi pasur më herët që ta shfrytëzojnë këtë dritare. Perspektiva e qartë evropian është prej levave që BE-ja ka. Nuk ishte këtu, por është këtu tani”, ka thënë Lajçak në Forumin e Dubrovnikut.

Në këtë Forum po merr pjesë edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.