Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka folur për takimin që ka pasur të martën me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Në një postim në rrjetin social “X”, Lajçak ka shkruar se në takim me Vuçiqin kanë diskutuar për procesin e dialogut Prishtinë-Beograd, transmeton Telegrafi.
“Theksova se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 hapi rrugën përpara drejt normalizimit”, ka pohuar ai, duke shtuar se progresi i mëtutjeshëm është në interes të Serbisë dhe Kosovës dhe të ardhmes së tyre në Bashkimin Evropian.
Ndryshe, ditë më parë në Bruksel ka dështuar të mbahet takimi i parë i Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit.
Dështimi i këtij takimi erdhi pasi që delegacioni i Serbisë refuzoi të marrë pjesë, në shenjë proteste pas aksionit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të Serbisë.
I dërguari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, kishte deklaruar se takimi i së mërkurës i Komisionit të përbashkët për të pagjeturit duhej të mbahej në nivel zëvendësish, por dështoi për shkak se pala serbe njoftoi se nuk do të merrte pjesë në takim për shkak të zhvillimeve në Kosovë.
Kryetari i Komisionit qeveritar të Kosovës për personat e zhdukur, Andin Hoti, kishte deklaruar se arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje në takim ishte banal dhe i dëmshëm për procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.
“Arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje në takim përveç që banal është edhe i dëmshëm për procesin e zbardhjes se fatit të personave të zhdukur, dhe nuk ka të bëjë asgjë me temën që sot janë thirrur në Bruksel. Kjo demonstron për të satën herë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme. Kjo tregon edhe njëherë politizimin e tejskajshëm të Serbisë në raport me çështjen e personave të zhdukur”, ka shkruar Hoti në Facebook./