Emisari në largim i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se është krenar për bashkëpunimin e BE-së me Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë mandatit të tij.
Në Twitter ai ka shkruar të hënën në mbrëmje për takimin me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof dhe ndihmës sekretarin James O’Brien.
“Misioni im i parë më 2025 më çoi në SHBA. Në Washington DC kam pasur diskutim gjithëpërfshirës mbi Ballkanin Perëndimor me Kasanofin. Jam krenar për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm BE-SHBA gjatë mandatit tim”, ka shkruar ai.
Bashkimi Evropian një ditë më parë konfirmoi se është në proces të përzgjedhjes së pasuesit të Lajçakut. Ai do të jetë në postin e lehtësuesit në dialogun Kosovë-Serbi deri në fund të janarit.
Të premten e 3 janarit ka skaduar afati për paraqitjen e kandidatëve nga të cilët përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, do të zgjedhë se kë do ta emërojë si përfaqësues të posaçëm të BE-së për dialogun.
Ndër emrat që më së shumti vazhdojnë të përmenden janë ish-ministri i Finlandës, Pekka Havisto, dhe diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen. Që të dy kanë përvojë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.