Lagjja Tajil në Erbil të Irakut, vendi i veçantë për Ramazan me ushqim në rrugë

Lagjja Tajil në Erbil, Irak, ruan gjallërinë e saj nga iftari deri në syfyr gjatë Ramazanit me ushqimet e saj unike të rrugës dhe çajtoret e mbushura me njerëz.

Në lagjen ku jetojnë dendur edhe turkmenët, prej shumë vitesh shërbehen specialitete specifike për lagjen si mishi i rosës, pëllumbit, gjelit dhe thëllëzës.

Gjatë Ramazanit, përveç njerëzve të shumtë të moshave të ndryshme, të cilët aty hanë iftarin dhe syfyrin, restorantet tradicionale të lagjes kanë klientë të rregullt edhe nga jashtë qytetit.

– Interesi për gatimet specifike të Tajilit rritet gjatë Ramazanit

Yunus Sabir Hamid, i cili drejton një restorant në Tajil, tha për Anadolu se ai punon këtu që nga viti 1988 dhe se kjo është një lagje që ekziston që nga vitet 1960.

Hamid theksoi se përveç ushqimeve të shijshme specifike si pëllumbat dhe rosat, ka edhe gatime tradicionale specifike për rajonin: “Këto gatime janë gjithmonë të disponueshme, por sidomos gjatë Ramazanit, konsumimi i tyre është shumë i përhapur dhe njerëzit vijnë për to. Që nga fëmijëria merrem me shitjen e tyre”, tha ai.

Ai tha se në të kaluarën në restorantin e tij vinin kryesisht të moshuar, por tani në mesin e klientëve janë kryesisht të rinj.

Hamidi shpjegoi se vjen në punë në orën 14:00 gjatë Ramazanit dhe qëndron deri në syfyr.

“Në restorant zakonisht vijnë qytetarët tanë. Ka edhe nga Kirkuku, Sulejmaniyah, Duhok dhe Bagdadi. Kam edhe disa klientë që kanë thënë se kanë ardhur me baballarët e tyre kur kanë qenë të vegjël, por tani vijnë me fëmijët e tyre. Tregu është pak i dobët për shkak të rrogave, rrogat vijnë me vonesë. Edhe çmimet nuk janë shumë të shtrenjta. Ne i shesim me pak fitim”, tha ai.

– Delikatesat e Tajilit hahen edhe si meze

Një tjetër pronar nga Tajili, Junusi, tha se biznesi i tyre është i ngarkuar gjatë Ramazanit dhe se shitjet rriten sidomos pas iftarit.

“Stina e pëllumbave sapo ka filluar të mbarojë. Ata hahen më shumë në sezonin e shirave. Disa nga klientët e mi vijnë dhe hanë si meze 10-12 copa mish në këmbë. Ka edhe njerëz që vijnë nga jashtë, u pëlqen kjo atmosferë”, tha Junusi.