Labinotë Demi-Murtezi: Ditë zie për Kosovën

Deputetja e Partisë së Drejtësisë, Labinotë-Demi ka reaguar pas rezultatit të PISA-s që e rendiste Kosovën në nivelin më të ulët të edukimit.

Ajo ka thënë se kjo është ditë zie për Kosovën, teksa thotë se politika është përzier në arsim dhe se arsimi është ngritur vetëm në ndërtesa të reja, jo më shumë.

Lexoni reagimin e plotë të saj:

Ditë zie për Kosovën

Pas shokimit që morëm me rezultatet nga PISA, një balans i punës dhe përkushtimit tonë ditor është i domosdoshëm. Si nënë e një nxënësi në klasë të parë, si një mësimdhënëse e mundshme që kurrë nuk mu dha rasti të punoj, ndjehem e turpëruar aq sa ndihet sot çdo individ dhe institucion përgjegjës për këtë dështim. Zaten, kjo edhe nuk ka qenë krejt e papritur. Nuk ka pasur pakënaqësi më të shprehura e fakte për dështime sikur në arsim. E sot botërisht u kuptua se ato vërejtje e tentativa të formave të ndryshme për të përmirësuar gjendjen sadopak, kanë hasur gjithmonë në vesh të shurdhër.

Arsimi, buka e uji i një kombi, shpirti e jeta e një shoqërie, u la pas dore në mënyrën më “formale” të mundshme. Duke qenë e përzier politika deri në palcën e këtij sektori, arsimi u ngrit vetëm në ngritjen e godinave të reja (shumë të nevojshme për ne), ndërkaq cilësia dhe angazhimi për rritjen e saj sikur u mjaftua me kaq. Çdo objekt premtonte vende të reja pune, ani se ndonjëherë ato objekte nuk arritën as të shfrytëzoheshin. Por lagjeja e fshati hijeshoheshin me shkollën e re, vendet e punës premtoheshin, e votat pastaj në konton e partisë, varësisht se cila parti e kishte pushtetin në komunën përkatëse ose udhëheqjen e ministrisë në nivelin qëndror.

Sigurisht, ka përjashtime dhe nuk janë të gjithë mësimdhënësit njësoj. Kam familjarë e miq shumë të përkushtuar për punën dhe profesionin e tyre, edhe në fshatrat e thella të Karadakut por edhe në ato fshatra që nuk i kanë as rrugët e asfaltuara në malësinë e Novobërdës. Por dhimbja jonë është shkaktuar dhe dështimi ka arritur me sistem joadekuat e cilësi të rrejshme të përkthyer në nota të larta për “hatër e keqardhje”.

Kemi parë shumë video të ekspozuara kur mësimdhënësit godasin fëmijtë me shuplaka e me shqelma, kemi parë edhe fëmijë duke bartur pijet alkoolike për festat e mësimdhënësve në objekte shkollore, madje edhe mësimdhënës të dehur bashk me nxënësit e tyre në ekskursionet që i kemi gjithmonë me bollëk. Dhe jo vetëm kaq. Kemi edhe bandën “Kikirikat”, të cilët problemet shoqërore i regullojnë me armë të ftohta e kërcënime të forta. A nuk është ky degradim i skajshëm?!

Ju kujtohet, një ish ministër i arsimit pati deklaruar se në shkollat tona ka mësimdhënës edhe me probleme mendore, nje tjetër pati thënë se një nga sukseset e mia të arritura është heqja e shamisë nga shkollat, dhe së fundmi kur një mësimdhënëse e kualifikuar u pranua në punë pas pesë intervistave radhazi, banorët e atij fshati “protestuan” kundër cilësisë, duke marrë si pretekst veshjen e mësueses. Dhe prap, asnjë deklarim nga ministri ose ministria e arsimit për mbështetjen e zonjës së kualifikuar dhe mbrojtjen e të drejtave të saj të lirisë e të punësimit. Prap po them, jemi mashtruar me “cilësi formale”, e për atë përmbajtësore flasim në të ardhmen.

Por një shpresë e kemi. Kurdo që garohet për pushime të shumta e ditë të lira, festa e shenime të ndryshme gjatë kohës së procesit mësimor, do të jemi të parët me siguri. Bile, edhe për ekskursione, mbrëmje e parambrëmje, semimatura e parasemimatura, as aty nuk leshojmë pe për “cilësi”.

Dhe çudi! Nuk dëgjova se sot do të protestojnë burrat e Drenocit!