Ballina Lajmet Maqedoni Ky është shqiptari nga Maqedonia i cili u zgjodh si lexuesi më...

Ky është shqiptari nga Maqedonia i cili u zgjodh si lexuesi më i mirë i Kur’anit

Në Garën Ndërkombëtare të Recitimit të Kur’anit, e cila këtë vit u organizua për herë të 24-të në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb, vendin e parë në kategorinë e bukurleximit të Kur’anit e ka zënë Eljesa Asani, i cili përfaqësoi Maqedoninë.

Duke folur për Anadolu Agency (AA) lidhur me garën, Asani tha se në garë ka marrë pjesë në emër të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI) dhe se ka arritur të zë vendin e parë në kategorinë e bukurleximit në mesin e pjesëmarrësve nga 26 shtete të ndryshme.

Asani u shpreh se prej dhjetë vitesh është imam në fshatin Zdunje të Gostivarit në Maqedoni, duke shtuar se suksesin në garë e ka arritur në saje të përvojave që ka fituar në garat që ka marrë pjesë më herët.

Ai thotë se bukurleximi i Kur’anit është një fushë në vete. “Duhet një përgatitje e caktuar, përvojë dhe akumulim njohurish. Njëlloj sikurse në Olimpiadë, nevojiten një sërë përgatitjesh fizike dhe shpirtërore”, tha Asani.

Asani rikujtoi se më parë ka përfaqësuar Maqedoninë në garat në Iran dhe Turqi, duke theksuar se që nga fëmijëria ka dhënë përpjekje lidhur me leximin e Kur’anit, ndërsa gjatë qëndrimit në Turqi ai ka marrë trajnim të muzikës mistike turke, e cila, siç tha, ka kontribuuar në sukseset e tij.

“Gjithnjë jam ndier krenar që kam studiuar në Turqi”

Asani tregon se studimet deridiplomike i ka kryer në Fakultetin e Teologjisë pranë Universitetit të Ankarasë, ndërsa më pas, përmes një burse të Fondacionit Turk të Çështjeve Fetare, ka mbaruar edhe magjistraturën në degën e Historisë Islame në Fakultetin e Teologjisë pranë Universitetit Uludağ në Bursa.

“Atje u njoha me shumë profesorë të vlerësuar dhe kisha rast të përfitoj nga njohuritë e tyre. Arsimimi në Turqi kishte kontribut të madh jo vetëm në këtë garë, por në përgjithësi në jetën time. Kam një shpirt hulumtuesi dhe teksa bëra parapërgatitjet për këtë garë, solla shumë libra nga Turqia, lidhur me teknikat e frymëmarrjes dhe ngjyrimin e zërit. Kontribut në këtë shpirt hulumtuesi kishte arsimimi në Turqi”, tha Asani.

Ai u shpreh se jeta e tij studimore në Turqi ka qenë tejet e mirë. “Gjithnjë jam krenar që kam studiuar në Turqi, që jam diplomuar, kam frymuar dhe kam prosperuar atje”, shtoi Asani.

“Maqedonia gjithnjë ka ‘eksportuar’ hafëzë jashtë vendit” 

Asani thotë se dëshiron që përvojat që ka fituar nëpër gara t’ua përçojë edhe të rinjve që synojnë të marrin pjesë në gara të këtilla, duke potencuar se janë të gatshëm që gara dhe programe të këtij lloji në të ardhmen të organizohen në Maqedoni.

Po ashtu, Asani thekson se Maqedonia që nga periudha jugosllave gjithnjë ka “eksportuar” hafëzë jashtë vendit. “Numri i hafëzëve gjithnjë ka qenë i madh. Ne do të realizojmë punime për të ardhmen në mënyrë që ta kthejmë dhe ta forcojmë këtë fakt. U rekomandoj të rinjve të kenë shpirt hulumtuesi dhe të përpiqen për ta zhvilluar veten. Prapa çdo suksesi qëndron një investim”, tha Asani për AA.


Exit mobile version