Ky është plani i ministrisë së Shëndetësisë, si dhe kush do të vaksinohet kundër COVID-19

Gjatë këtij muaji pritet që të arrijë kontingjenti i parë, prej 100 mijë e 800 vaksinave të COVAX në Kosovë.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur për lajmi.net se ka bërë planin për vaksinimin e popullatës kundër COVID-19.

Plani është përpunuar në detaje për tre faza të vaksinimit. I cili pritet të nis gjatë këtij muaji.

Qendrat e Mjekësisë Familjare do të jenë vendet kryesore ku do të behët vaksinimi i qytetarëve. Derisa bëhet e ditur se procesi mund të nis në ndonjë vend tjetër.

Zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka thënë për lajmi.net, se vaksinimi do të bëhet nëpër QKMF. Duke shtuar se punonjësit e këtyre qendrave janë duke bërë trajnime për disa module edhe të vaksinimit kundër COVID-19.

“Procesi mund të nis për simbolike në ndonjë qendër të përshtatur për ketë qellim, por Njësite e vaksinimit nëpër QKMF do të jenë vendet kryesore ku do të behët vaksinimi i popullatës, duke qenë që punonjësit e këtyre qendrave janë implemantues çdo vit të Programit të Zgjeruar të Imunizimit si dhe janë duke u bërë trajnime për disa module edhe të vaksinimit kundër COVID-19”, ka thënë Hoti

Të parët që do të marrin vaksinën kundër COVID-19 nga kontingjenti i parë, janë punonjësit shëndetësor, personat mbi 85-vjeç, personat me sëmundje kronike etj.

“Punonjësit shëndetësor, personat mbi 85 vjeç, banoret në qendrat e të moshuarve dhe punëtoret social si dhe personat me sëmundje kronike, janë të paret që do të vaksinohen me kontingjentin e parë prej 100 mijë e 800 vaksinave qe COVAX ka paralajmëruar se në Kosovë do të shpërndahen në shkurt”, ka thënë Hoti.

Po ashtu, Kosova planifikon që në çdo komunë të bëjë vaksinimin e qytetarëve, ndërsa numri i personave të vaksinuar brenda ditës do të varet nga dinamika.

“Varet nga dinamika me të cilën do te zhvillohet procesi por qendra vaksinimi do të ketë në çdo komunë”, ka thënë në fund Hoti.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ditë më parë ka deklaruar se vaksina anti-Covid do të vijë në Kosovë gjatë muajit shkurt.

Madje, ai tha se IKShPK-ja ka përcaktuar që të vaksinohen më shumë se 75% e popullatës, duke theksuar se do të fillojnë me të moshuarit, të sëmurët kronik dhe personeli shëndetësor.“

Në muajin shkurt besojmë se procesi i vaksinimit do të fillojë edhe në Kosovë. Shpresa dhe angazhimi ynë janë që të shtohen dozat e vaksinimit dhe deri në fund të muajit qershor të kemi një numër të konsiderueshëm të vaksinuarve të qytetarëve të Kosovës”.