Ministri i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikallo, po akuzohet për torturim të qytetarëve të Prishtinës gjatë kohës së luftës.
Banorët e një ndërtese në Kurriz të Dardanisë kanë rrëfyer për KTV torturat që thonë se Rikallo ka bërë, dhe faktin që ai gjithmonë aty është shfaqur me uniformë dhe i armatosur.
Edhe pse kanë kaluar gati dy dekada, Fexhrije Beqiri mund ta kujtojë fytyrën e Nenad Rikallos, i emëruar ministër i Bujqësisë në qeverinë e Ramush Haradinajt.
Familja Beqiri jeton në katin e shtatë të kësaj ndërtesë në Kurriz të Dardanisë tash e disa dekada. Në katin e njëjtë, në numër 45, jetonte edhe Nenad Rikallo.
Gjithçka që mund të kujtojë zonja Beqiri nga Rikallo, atëherë i ri, janë torturat dhe maltretimet ndaj banorëve shqiptarë.
Djali i saj, Festimi, i ka të freskëta përjetimet për dy skena të torturave nga Rikallo, e njëra prej tyre përfshin edhe drejtimin e armës ndaj babait të tij, tashmë të ndjerë.
Në secilin kat të kësaj ndërtese ka banorë që kujtojnë tmerrin e përjetuar nga e gjithë familja Rikallo.
Ata që pranojnë të flasin e kujtojnë ta kenë parë ministrin e ri, gjithmonë në uniformë.
Banorët këtu janë shokuar kur e kanë parë Rikallon të jetë renditur në mesin e ministrave të qeverisë së re dhe kërkojnë largimin e tij të menjëhershëm.
Rikallo është pjesë e Listës Serbe dhe deri para pak kohësh ka shërbyer si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ai nuk u është përgjigjur thirrjeve për koment ndaj akuzave.