Ky është lloji i armatimit me të cilin pritet të furnizohet Ushtria e Kosovës

Transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës, krahas nevojës për shtimin e radhëve i cili do të arrij në 8 mijë trupa do të ketë edhe një sistem të avancuar të armatimeve konvencionale mbrojtëse.

“Forca e ardhshme do të jetë e pajisur me armë dhe sisteme armatimi për të realizuar misionin kushtetues, përkatësisht mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, për të mbështetur institucionet e Republikës së Kosovës gjatë situatave të ndryshme emergjente, e gatshme dhe e furnizuar për të marrë pjesë në operacione ndërkombëtare të mbështetjes së paqes dhe operacione ndërkombëtare humanitare, thuhet në një përgjigje për Indeksonline dhënë nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Pajisjet individuale dhe kolektive për mision janë të dizajnuara që të kemi një ndërveprueshmëri dhe efekt të zjarrit direkt dhe indirekt gjatë operacioneve luftarake në të ardhmen. Sistemet mbrojtëse mobile të zjarrit janë të përcaktuara që të krijojnë bazën e fuqisë luftarake dhe të ofrojnë kapacitetet e nevojshme mbrojtëse sipas skenarëve të përcaktuar në Rishikimin Strategjik të Sektorit të Sigurisë”, thuhet në përgjigje.

Ndërkaq forcës ajrore Ushtria e Kosovës pritet që fillimisht të pajiset vetëm me helikopterë për të cilët sipas tyre, Qeveria e Republikës së Kosovës është në proces të përgatitjes së konceptit të kapaciteteve ajrore për nevoja të institucioneve dhe së shpejti pritet të dalë me të dhëna konkrete në këtë fushë.

Sipas tyre, gjatë planifikimit të forcës dhe përcaktimit të armatimit janë marrë për bazë kriteret e ndërveprueshmërisë, kështu që armatimi dhe sistemet të jenë të ndërveprueshme me forcat e NATO-s dhe gjithashtu është marrë për bazë kriteri financiar që Republika e Kosovës dhe tatimpaguesit të mos rëndohen nga blerjet ushtarake në të ardhmen.

“Industria e pajisjeve ushtarake është duke u zhvilluar dhe në treg ekziston një numër i madh i pajisjeve dhe armëve që dallohen për nga çmimi dhe përformanca, lloji i përdorimit gjatë operacioneve, siguria e personelit dhe pajisjeve e kritere të tjera. Mund të theksoj se ne kemi partneritet strategjik me disa shtete dhe në këtë aspekt do të jemi konsistent në avancimin e bashkëpunimit jo vetëm ushtarak por edhe ekonomik”, thuhet në përgjigjen Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës.