Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kuzhinat bamirëse në Gaza rrezikojnë të mbyllen brenda pak ditësh

Kuzhinat bamirëse në Gaza rrezikojnë të mbyllen brenda pak ditësh

Kuzhinat bamirëse të mbetura në Rripin e Gazës po përballen me një krizë të thellë humanitare dhe mund të ndalojnë së funksionuari brenda pak ditësh, nëse ndihmat nuk lejohen të hyjnë në territor, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.

Në qytetin e Gazës, në kuzhinën komunitare Al-Salam Oriental Food, Salah Abu Haseera tha se ndoshta po shërben një nga vaktet e fundit për rreth 20,000 persona që ushqehen çdo ditë nga ai dhe kolegët e tij.

“Përballemi me sfida të mëdha për të vazhduar. Mund të ndalojmë aktivitetin brenda një jave, ndoshta edhe më herët,” tha Abu Haseera për Reuters në një intervistë telefonike.

Këto kuzhina variojnë nga dhoma të thjeshta deri te restorante më të organizuara.

“Sot kemi vetëm 70-80 kuzhina komunitare që ende funksionojnë në Gaza… Brenda katër ose pesë ditësh, ato do të detyrohen të mbyllen,” tha Amjad Shawa, drejtor i Rrjetit të OJQ-ve Palestineze (PNGO) në Gaza.

Sipas Shawa, para mbylljes së kalimeve kufitare, në Gaza funksiononin rreth 170 kuzhina të tilla. Vetëm të hënën, 15 prej tyre u detyruan të mbylleshin.

Izraeli, i cili ka braktisur marrëveshjen e armëpushimit me Hamasin të arritur në janar, vendosi një bllokadë të plotë më 2 mars, në përpjekje për të ushtruar presion ndaj grupit palestinez për të pranuar kushte të reja.

Bllokada në fuqi konsiderohet si mbyllja më e gjatë e Gazës në historinë e saj.

Exit mobile version