Kuvendi i Kosovës pritet të votojë sot mocionin e opozitës për rrëzimin e qeverisë. Ky mocion është iniciuar nga partia opozitare, Nisma për Kosovën dhe është mbështetur edhe nga dy partitë tjera opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Krahas 30 nënshkrimeve nga deputetët e tri partive opozitare, mocioni është mbështetur edhe nga 8 deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila është në pushtet, si dhe 4 deputetë tjerë, kryesisht të pavarur.
Opozita synon të sigurojë 61 vota në Kuvend, të nevojshme për rrëzimin e qeverisë.
Nëse mocioni i mosbesimit merr 61 vota, atëherë çështja kalon në dorën e Presidentit të Kosovës që të vendosë nëse do të shpërndajë Kuvendin dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme apo t’ia jap besimin një mandatari të ri për formimin e një qeverie të re.
Ndërkaq, nëse opozita dështon t’i sigurojë 61 vota për rrëzimin e qeverisë, atëherë nuk mund të ketë ngritet mocion i ri brenda 90 ditëve vijuese.
Zgjedhjet e parakohshme janë përmendur si opsion për të nxjerrë vendin nga bllokada e vendimmarrjes edhe nga deputetë dhe zyrtarë të partive në pushtet.
Koalicioni aktual po përballet me probleme serioze në vendimmarrje për çështje të rëndësisë së veçantë, siç është demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, me çka është bllokuar procesi i liberalizimit të vizave.
Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian këto ditë kanë inkurajuar krerët e institucioneve si dhe Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, që të ratifikojnë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke mos i dhënë mbështetje mocionit i cili besohet se përveç rrëzimit të qeverisë, do ta dërgonte vendin në zgjedhje.