Kuvendi voton rishikimin e buxhetit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro ndarjeve buxhetore në lexim të dytë.

Me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten projektligjin për rishikim të buxhetit për vitin 2020.

Ministrja e Financave Hykmete Bajrami tha se dallimi mes buxhetit të planifikuar prej 2.6 miliardë euro dhe të hyrave është rreth 800 milionë euro.

Në këtë seancë kanë qenë të propozuara gjithsej 108 amandamente.

Ndërkohë gjatë kësaj seance nuk u votuan amendamentet për rritjen e pagave për personelin shëndetësor dhe policinë e Kosovës.

Po ashtu deputetët nuk kanë miratuar as propozimet e kryeparlamentares, Vjosa Osmani për blerje të maskave dhe blerje të vaksinave për të moshuarit mbi moshën 65-vjeçare.