Kuvendi – turpi i një demokracie

Nga Mehdi Mulaj

Kurrë më i turpëruar dhe më ngushtë nuk jam gjendur sesa për Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 Shkurt 2022, ndonëse në këtë ditë do të duhej të ndihesha njeriu më me fat. Në këtë ditë të shënuar shtetërore e kombëtare, shkolla fillore ku fëmija im vijon mësimet, organizonte një vizitë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Thënë të drejtën, isha i lumtur, për faktin se fëmija im po e jetësonte një gjë që shumë breza fëmijësh nuk kishin arritur ta bënin, e mbase edhe kanë humbur buzëqeshjen e tyre për këtë ditë.
Mësuesja e klasës, shumë e kujdesshme, në grupin e prindërve në VIBER na dërgonte fotografi nga realizimi i kësaj vizite. Sa bukur, entuziazëm, kënaqësi, hare, fytyra të buzëqeshura e shpirtra të ndritur. Sikur e përjetova edhe unë kënaqësinë e tyre.

Në mbrëmje, fëmija im ka shumë dëshirë të më tregojë për tërë ditën në shkollë – sukseset e ngecjet.

Zjeva nga një kafe për vete dhe për nusen time, djali pinte një lëngë portokalli, nuk i pëlqen shumë, por e “detyrojmë” për shkak të vitaminës C, në këtë kohë flamash.
“Babi, sot kemi qenë në Kuvend të Kosovës…, a e din bre babi ajo që e shohim në televizor?!
“Po bir, e di. Ani shumë mirë. Dhe, si kaluat?” – e pyeta.

“Babi, aty ishte një sallë e madheee, unë jam ulur…, a e din te ajo pjesa përballë, ku dalin me folë ata…, deputetët?!” – vazhdoi djali rrëfimin plot hare.
“Po bir.” – ia ktheva.

Ah, sa me kënaqësi tregonte për atë përjetim!

“Babi, a e din kjo…, ajo…, këtu…, atje…, sa bukuuur…!” – s’kishte të ndalur.
Unë vetëm pohoja herë me zë e herë me kokë.

Dhe, sapo mendova që tregimi i bukur i tij po shkonte drejt fundit, me një përshtypje aq të veçantë për Kuvendin e republikës sonë, djali ma bëri një pyetje:
“Babi, tregomë çka është Kuvendi?”

U zura ngushtë, jo pse nuk dija teorinë, por se nuk lidhej me praktikën. Nisa t’i flisja dhe, sikur belbëzoja pak, dhe mendoja se çfarë do të më pyeste tjetër. E dija me siguri të plotë se pyetja e radhës do të jetë fatale për mua. Ia njoh psikologjinë: njëherë provokon me një pyetje, për ta parë sinqeritetin tim, dhe më pas më gozhdon me pyetjen që s’di se si ta arsyetoj atë që e them më herët.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë i një shteti. Në Kuvend mblidhen njerëzit më të ndritur, d.m.th. që kanë nivel të lartë shkollimi, sepse në Kuvend vendoset për fatin e shtetit. Prej aty nxirren ligjet. Bir, ligjet janë rregulla të cilave duhet t’u përmbahemi të gjithë…” – llomotitja unë, kurse shikimi i djalit kishte zënë një qosh dhome, sikur nuk më dëgjonte edhe aq.

Kjo më fuste edhe më shumë në siklet.

Mbarova së foluri, djali po priste nëse do të vazhdoja tutje me “ligjëratën”. Pa që aq kisha për të thënë, më shikoi në sy dhe më pyeti:
“Babi, në Kuvend a ka magar?”

Nuk dija a ta merrja si shaka të tij, apo si të sillesha me të: të qeshja a të mos qeshja. Disa sekonda m’u dukën një mijë vjet.
U zjeva e u përzjeva brenda vetes, përpiqesha të gjeja një shprehje që nuk do ta minonte “ligjëratën” time të mëhershme.
“Nuk ta kuptova pyetjen, bir!” – i thashë me dridhje zëri.

“Babi, a ka magar në Kuvend? Pyetja është shumë e qartë, babi!” – këmbëngulte djali.
“Kjo është pyetje që s’duhet bërë, bir!”

Më shikoi, sikur priste të përgjigjesha.

“Dhe nga e nxore këtë pyetje?” – iu drejtova pak me vrazhdësi.
“E kam dëgjuar me veshët e mi, babi!” – ma ktheu.
“Çfarë?”

“Një deputet doli te ajo foltorja dhe iu drejtua një deputeti tjetër dhe i tha: Ti je magar!” – më shtangu djali me përgjigjen e tij.

“Dhe si do ta arsyetosh atë që ma the më herët, babi, se Kuvendi qenka për njerëz që kanë nivele të larta shkollimi?” – vazhdoi të m’i mbyllte të gjitha rrugët e arsyetimit.
Kisha një telashe të madhe, sepse djali mua më ka shembull për sjellje, qoftë për të mirë apo për të keq. Sidomos për fjalën e dhënë. Djali i ka mbushur 9 vjet dhe asnjëherë nuk e kam gënjyer, qoftë edhe për kur më ka pyetur se a dhemb vaksina.

Nisa t’i rikujtoj bëmat e deputetëve të Kuvendit përgjatë viteve pasluftës: Mospërputhje deri në palcë mes teorisë dhe praktikës, mes realitetit dhe imagjinatës, mes kërkesës dhe veprimit, mes emrit dhe asaj që përfaqëson.

Duke u munduar ta mbroj nderin e institucionit më të lartë të vendit, e aq më shumë të deputetëve që e përbëjnë atë, ia hupa nderin vetes dhe për herë të parë dola i pafytyrë para djalit tim.
“Bir, ti e di që babi bën shpesh shaka!” – iu përgjigja, mora filxhanin e kafesë që ende s’e kisha pirë dhe shkova në kuzhinë.
Kuvendi, institucioni që përveç vetes, më turpëroi edhe mua.