Kuvendi i Shqipërisë ia ka tërhequr imunitetin ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri, i dyshuar se është i përfshirë në një unazë të trafikimit të drogës.
Sot ligjvënësit shqiptarë votuan për t’i lejuar prokurorët që ta marrin në pyetje zotin Tahiri dhe për ta kontrolluar banesën e tij, por jo edhe për ta arrestuar.
Saimir Tahiri ishte ministër i brendshëm deri në muajin mars të këtij viti dhe mbetet deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, raporton agjencia AP nga Tirana.
Prokurorët e kanë ndërlidhur zotin Tahiri me një grup kriminal të dyshuar për trafikim të sasive të mëdha të kanabisit. Disa prej liderëve të këtij grupi aktualisht janë arrestuar në Itali.
Prokurorët patën kërkuar arrestimin e tij.
Saimir Tahiri i ka hedhur poshtë akuzat se ka lidhje me këtë grup kriminal.
Enkelejd Alibeaj nga Partia Demokratike opozitare tha se Tahiri do të duhej të arrestohej dhe të hetohet për përdorim të parave të pista për financim të fushatës zgjedhore të Partisë Socialiste, më herët këtë vit.
Në periudhën e paskomunizmit, luftimi i trafikimit të drogës dhe krimit të organizuar është sfidë për Shqipërinë, e cila prej vitit 2009 është anëtare e NATO-s, dhe synon fillimin e bisedimeve për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, raporton AP.