Me 90 vota për 4 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi i Kosovës mori vendim më 7 maj 2014, që të shpërndajë vetveten.
Me këtë vendim, Kuvendi vendosi që të çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Mocioni ishte ngritur nga një grup prej 57 deputetëve në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të PDK-së dhe LDK-së për shpërndarjen e Kuvendit.
Arsyetimin e ka prezantuar deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami i cili ka thënë se me këtë vendim, Kuvendi hap procedurat ligjore për shpalljen e datës së zgjedhjeve.
Nisma e deputetëve është mbështetur më pas edhe nga grupet parlamentare të PDK-së, LDK-së, por jo edhe ata të AKR-së, përderisa ata të AAK-së kanë prezantuar qëndrime të ndryshme.
Në fjalimin e tij të fundit para kësaj legjislature, kryeministri Hashim Thaçi e ka arsyetuar vendimin për të shkuar në zgjedhje, duke thënë se muajt dhe javët e fundit kanë dëshmuar edhe për jofunksionalitet të institucioneve.
Thaçi ka rikujtuar sidomos dështimin e Kuvendit që të themelojë Forcat e Armatosura të Kosovës.
Kurse, deputetet e Kuvendit të Kosovës bënin fotografinë e fundit.