Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë debatuar të hënën për buxhetin e vitit të ardhshëm. Derisa kryeministri, ministra të dikastereve qeveritare e deputetë në pushtet lavdëruan buxhetin, projektet që kanë implementuar e ato që planifikojnë, opozitarët kritikuan pushtetarët për buxhet jozhvillimor, për mosinvestime kapitale e për manipulim me shifra.
Shqyrtimi i buxhetit solli në Kuvend kryeministrin Albin Kurti e disa ministra të kabinetit qeverisës që nuk shihen shpesh në ambientet e parlamentit.
Deputetëve, Kurti ua kërkoi votën për projeksionin buxhetor të vitit të ardhshëm derisa u lavdërua për numrin e buxheteve të prezantuara e për rritjen e tyre ndër vite.
Tha se me buxhetin 3.6 miliardësh prioritet kanë qytetarët, ndihmat për familjen, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, arsimin shëndetësinë, infrastrukturën e mbrojtjen.
“Kam nderin dhe kënaqësinë që sot para jush të bëhem kryeministri i parë që prezanton buxhetin e katërt të mandatit, për ta shënuar kështu edhe qeverinë e parë që e çon mandatin deri në fund. Siç tashmë edhe e dini, buxheti për vitin 2025 është projektuar të jetë 3.6 miliardë euro apo rreth 9% më i lartë sesa buxheti i vitit 2024, ose 60% më i lartë sesa buxheti i vitit 2020”, tha Kurti.
Por, buxhetin për vitin e ardhshëm, krejt ndryshe e panë përfaqësuesit opozitarë. Sipas tyre, ai është buxhet i mbijetesës dhe jozhvillimor.
“Ne flasim për një planifikim buxhetor i cili nuk ndikon asgjë, nuk promovon asgjë, një planifikim prej të cilit ky shtet e ky popull nuk sheh kurrfarë hajri, sepse e kemi parë që nga fillimi i kësaj qeverise, ku çdo planifikim shihet se është i dobët”, tha deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.
“Nuk i përmendi fare premtimet e qeverisë që lidhen me fusha specifike, në arsim 160 çerdhe, shujta për nxënës, digjitalizim i shkollave, biblioteka për mësimdhënës, banim i përballueshëm për mësimdhënës, shpërblim i mësimdhënësve bazuar në performancë, asnjë nga këto nuk është realizuar gjatë këtij mandati”, tha deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
Brohoritje nga deputetët në pushtet nxiti gabimi i numrit të mandateve të Kurtit si kryeministër nga shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Kryeministri Kurti në fjalën e tij hyrëse filloi të lavdërohet e të thotë se si ky është buxheti i tij i katërt në mandatin e tij të katërt mirëpo për vlerësimin e qytetarët ky është buxheti më i dështuar… mandati i tij të parë. A u knaqt a? A u gzut a? Po më vjen keq, të fundit e keni”, tha shefi i Grupit Pralamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Mos na e ndjell kështu Besnik se s’di a mundemi 4 bash qashtu”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Në këto katër vite me këto 12 miliardë euro unë po ju pyes juve dhe kabinetin qeveritar, a ka ndonjë projekt që ka nis dhe është përfunduar, përveç urës në Saradran. Veç një projekt le të del kryeministri le të më thotë”, tha Tahiri.
Me deputetët opozitarë e kritikat e tyre nuk u mor kryeministri Kurti. Atyre në vazhdimësi u replikoi ministri Hekuran Murati e më vonë gjatë diskutimit edhe ministrat e tjerë.
“Nuk mund të ulet importi në një ekonomi të cilën e kemi trashëgu ku të gjitha fabrikat që kanë qenë prodhuese në këtë vend ju i keni shit për skrap. Normalisht që merr kohë derisa të ndërtohet kapaciteti prodhues në mënyrë që të ulet importi”, tha Murati.
“Asnjëherë, as ju dhe as kryeministri nuk i keni përmend rritjen e çmimeve, 22% janë rritë çmimet qytetarëve, por çmimi i bukës është rritë me 50%”, tha deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
“Sa u përket çmimeve të ushqimeve, çmimi i grurit është 20 centë për kilogram dhe në bursa botërore, shikojeni është sikurse pandemisë, merre dhe shikone”, tha ministri Murati.
“Më bëni përshtypje: tha çmimi i grurit është i njëjtë sikurse para pandemisë. Ministër, qytetarët nuk e blejnë grurin në bursë, as vajin, e blejnë në market.. politikat e tua e kanë dyfishu çmimin”, tha shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
“Tha i keni shit fabrikat për shkrap, cilat fabrika. Pse nuk i keni ble bre ju. Masi që kanë qenë me vlerë”, tha deputetja Bajrami.
E zhurmshme ndaj pothuajse secilës fjalim të kolegëve të saj opozitar ishte deputetja Mirlinda Tishukaj-Sadiku, keqardhje për të cilën tha se ndien Hykmete Bajrami e LDK-së.
Me 59 vota për e dy abstenime është votuar projektbuxheti. E po ashtu me 60 vota për kaloi mocioni i propozuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Armend Mujës që të shmangen afatet e rregullores së Kuvendit për shqyrtim të projektbuxhetit në Kuvend. Muja propozoi që projektbuxheti të sillet në Kuvend për lexim të dytë në seancën e 21 nëntorit.