Ballina Lajmet Kosovë Kuvendi mblidhet për dy seanca, në rend dite projektligji për Byronë e...

Kuvendi mblidhet për dy seanca, në rend dite projektligji për Byronë e konfiskimit

Pika të papërfunduara nga seancat plenare që nga 16 qershori pritet të shqyrtohen në seancën e parë plenare të Kuvendit të Kosovës, që pritet të mbahet të enjten. Në rend dite, ndër këto pika të papërfunduara është edhe votimi i projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në rend dite janë edhe shqyrtimi i raportit vjetor të Performancës dhe ai financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021; votimi në lexim të dytë i projektligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Dhuratave; votimi i raportit vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit; si dhe votimet në lexim të dytë të Projektkodit të Procedurës Penale, projektligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, projektligjit për Shërbimin Korrektues dhe për Shërbimin Sprovues.

Të gjitha këto çështje kishin dështuar të shqyrtoheshin në seancat e kaluara për mungesë kuorumi. Seanca është paraparë të nisë në orën 10:00.

Ndërkaq, një orë më vonë pritet të nisë seanca e re parlamentare me pesë pika të rendit të ditës. Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës e pyetjeve parlamentare, në rend dite janë shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e Traktatit mbi ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale me Konfederatën Zvicerane; shqyrtimi i dytë i projektligjit për Sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë; dhe miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë për periudhën 2006-2022.

Exit mobile version