Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme ka mbajtur një minut heshtje për mjekun Ali Iljazi nga Gjakova.
Kjo u bë me kërkesë të deputetit Haxhi Avdyli.
Ai u shpreh, se Iljazi pos mjek e profesor, ishte edhe dekani i parë i fakultetit në Gjakovë.
Biografi e shkurtër
Prim.dr.sc.med. Ali F. Iljazi, lindi në Gjakovë në vitin 1949. Rrjedh nga një familje me ndjenja të thella fetare e kombëtare. Nga kjo familje pati 20 hoxhallarë dhe shtatë myderriza eminent që shërbyen në Medresenë e Madhe të Gjakovës afro 280 vite me radhë.
Prim.dr.sc.med. Ali F. Iljazi, shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje me sukses të shkëlqyeshëm.
Fakultetin e mjekësisë e kreu në Sarajevë në vitin 1973 me sukses të shkëlqyeshëm. Për suksesin e arritur gjatë studimeve u dekorua me “Shenjen e artë të Universitetit të Sarajevës”, si studenti më i suksesshmi dhe më i dalluari në këtë Universitet.
Specializimin nga lëmi i mjekësisë interne e kreu në Sarajevë në vitin 1979 po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm dhe falënderim të veçantë.
Në vitin 1987 merr titullin e primariusit. Ndërsa në vitin 1988 në Universitetin e Novi Sadit mbron titullin e doktorit të shkencave të mjekësisë.
Deri më sot ka botuar mbi 80 punime shkencore nga lëmi i mjekësisë, të botuara këto nëpër revista të ndryshme dhe të referuara në kongrese e seminare të ndryshme, si dhe monografinë “Testet bronkoprovokuese në diagnostiken e hiperaktivitetit bronkial”.
Krahas veprimtarisë mjekësore Dr. Ali Iljazi merret me studimin e Kur’anit fisnik nga këndvështrimi shkencor dhe shquhet si pionier i kësaj lëmie në trevat shqiptare.
Nga kjo lëmi ka publikuar mbi 1000 punime shkencore të botuara në revistat: “Dituria Islame”, “Takvimi”, “Zgjimi Islam”, “Frymëzimi”, “Fjala e bukur”, “Hëna e re”, “Paqja”, “Gazeta Besa”, “Vepra”, “Drita Islame”, “Etika”, “Zaman”, “Emocioni”, “AlbIslam”, etj.
Dr. Ali Iljazi ka qenë kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës dy mandate prej vitit 1988- 1992 dhe 1992 1996.
Po ashtu ka kryer edhe detyrën e imamit dhe hatibit në Mejtepin e Halil Efendisë dhe në Xhaminë e Qylit.