Kuvendi i Kosovës mbajti seancë solemne për Pavarësinë

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës sot u mbajt seanca solemne për shënimin e 9 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së këtij vendi, ku i pranishëm ishte Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë si dhe ambasadorë të korit diplomatik, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Thaçi duke iu drejtuar Kuvendit dhe popullit të Kosovës me një fjalë rasti tha se 17 shkurti është një ditë e shenjtë për Kosovën dhe historinë e saj. Sipas tij, 9 vite më parë në Kuvendin e Kosovës ka përfunduar një ëndër, për të filluar një tjetër, për të ndërtuar një Kosovë mbi parimet e lirisë, të drejtësisë dhe të gjithëpërfshirjes ku askush nuk cenohet. Ai po ashtu u zotua se do të vazhdojnë të punojnë për anëtarësim në BE dhe në NATO.

Ai po ashtu foli për të arriturat brenda këtyre 9 vitesh, ku tha se “Kosova sot është e njohur si shtet nga 82 përqind e vendeve të BE-së, 86 përqind e vendeve të NATO-s, 56 përqind e vendeve të OKB-së, 100 përqind të forumit të ishujve të Paqësorit, 61 përqind e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, 57 përqind e KARIKOM-it dhe 49 përqind e Unionit Afrikan. Kemi ndërtuar institucione demokratike ku i bëjnë ballë sfidave të politikës, kemi ndërtuar policinë më profesionale në rajon”, tha Thaçi.

Nga ana e tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa shprehu mirënjohje për kontributin e patriotëve shqiptarë, të Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Ai po ashtu shprehu se për këto vite, Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë vend i mundësive të reja për të gjitha komunitetet dhe për të gjithë qytetarët e saj pa dallim etnie, fetare apo dallime tjera.

Ndërkaq, duke folur për të arriturat e Kosovës gjatë këtyre nëntë viteve, Mustafa tha se “Në këtë përvjetor të nëntë të shtetit tonë, të japë edhe një lajm të mirë për Kosovën. Them se në saj të rritjes së vazhdueshme ekonomike, po arrijmë që këtë vit të dalim nga pragu i varfërisë dhe sipas kritereve të Bankës Botërore, nga ky vit, vendi ynë do të konsiderohet vend me të ardhura të mesme”.

Ndërkaq, kryeparlamentari Kadri Veseli tha se kjo është dita më e madhe e popullit e Kosovës, që ndan epokat dhe jep kuptim të së kaluarës dhe së ardhmes. Ai lavdëroi luftëtarët e pavarësisë, duke theksuar se kujtimi për ta do të jetë i përjetshëm. Veseli po ashtu shprehu nderimet dhe mirënjohjet për botën demokratike, për shtetet e BE-së dhe SHBA-në për mbështetjen e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Në këto 9 vjet të ekzistencës së tij, shteti ynë, Republika e Kosovës ka shënuar të arritura vendimtare dhe do të ishte e pandershme t’i mohojmë apo t’i nënvlerësojmë ato. Shteti ynë qëndron fuqishëm në orientimin e tij perëndimor, me identitet dhe vlera, 113 shtete e kanë njohur sovranitetin tonë dhe kjo nuk është pak kur kemi parasysh rrethana e një bashkësie ndërkombëtare shumë komplekse dhe me plot kontradita. Por njohjet e shtetit tonë do të vazhdojnë, për aq sa do të jetë e sigurt edhe rruga jonë drejt integrimit në BE dhe anëtarësimit në OKB”, tha Veseli.

Së fundmi ai tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është gati që të marrë rolin e saj në arkitekturën e sigurisë rajonale dhe globale dhe vuri në dukje se kanë garancinë e plotë nga aleatët për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura dhe për të qenë anëtarë të NATO-s. “Ashtu sikurse shtetin e kemi bërë bashkë me aleatët tonë njëjtë edhe ushtrinë e Kosovës do ta bëjmë bashkë me aletatët tanë”, tha së fundi Veseli.

Ndërkaq gjatë kësaj seance, deputetët e partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën nuk kanë qenë në sallë që nga fillimi. Ata erdhën në sallë pasi që presidenti Thaçi e përfundoi fjalimin e tij.