Që nga viti 2010, përfaqësuesit e popullit (Deputetët) në Kuvendin e Kosovës kanë qenë instrument i politikave të qeverive të ndryshme deri në këtë vit, e vazhdojnë të janë të tillë, pa prekur asnjëherë mirëqenien e qytetarit në tema kyçe duke adresuar kërkesat e tyre ministrive e institucioneve përkatëse në Qeverinë e Kosovës, pa prekur asnjëherë preokupimet e problemet e qytetarëve që ballafaqohen ata çdo ditë.
Mungesa e sundimit të ligjit, lufta kundër krimit institucional e deri te mbrojtja e Kushtetutës, e cila është shkelur nga pjesa dërmuese e dikastereve qeveritare si dhe vet Kuvendit, ndërsa kjo e fundit nuk ka arritur as të parashtrojë pyetje parlamentare dhe të kërkojë llogari nga Qeveria si përgjegjësi që ka ndaj saj.
E kjo gjendje politike qytetare e institucionale është shumë normale përballë një numri të madh të “analfabetëve” në Kuvendin e Kosovës, të cilët disa për 4 vite e disa për 6 vite nuk arritën të thonë as edhe një fjalë për qytetarin e Republikës së Kosovës, për institucionin që e përfaqësojnë (Kuvendin), ku vetëm këtë vit 96 deputetë nga 120 sa janë gjithsej në Kuvendit nuk kanë parashtruar asnjëherë pyetje parlamentare (Raport i KDI-Kosova), e lëre më të artikulojnë politika apo të monitorohet Qeveria apo procese me rëndësi për vendin.
Vet Kuvendi i Kosovës gjatë gjithë këtij sesioni të 2016-së, aktivitetin e tij e ka vazhduar pa asnjë plan pune, përkundër që kjo parashihet edhe me rregulloren e Kuvendit. Ndërsa vet deputetët e Kuvendit, këtë çështje as nuk e din fare se duhet ngritur e kërkuar një plan pune e mos të vazhdohet puna ‘paushall’ siç po vazhdohet, ndërsa një pjesë e mirë e tyre gjatë seancave në Kuvend ata vetëm shkojnë sa për nënshkrim për mëditje dhe përsëri vazhdojnë punët e tyre në institucionet tjera jashtë Kuvendit.
Në anën tjetër, disa “kinse” të mençur (aksidentalisht deputetë), Kosovën e paraqesin vetëm në pikëpamjen e Afganistanit e çerdhe të terrorizmit, ku me folklorin e tyre patriotik gufojnë si kambanat e Kishës së Llapushnikut, në mesin e malit e rajonit ku janë 99% të besimit islam, e si rezultat i këtyre gufimeve, pala serbe e shfrytëzoi mundësinë që Kosovën të paraqes si një vatër të terrorizmit edhe në OKB, sikurse në vitet e 1990, e kjo fal ‘rezultatit’ të deputetëve tanë!!!
Qytetari kosovar qe gjashtë vite asgjë nuk ka dëgjuar tjetër përveç se:
1. Negociatat Kosovë-Serbi, herë teknike herë politike,
2. Integrimet Evropiane, MSA, liberalizimi i vizave, anëtarësimi në NATO etj.
3. Demarkacioni, me regjistra, pa regjistra, kulla, toka e atij e këtij etj…,
Tema në cilat nuk është arritur as minimumi i suksesit e lëre më të flasim për progresin!!!
Gjatë gjithë këtyre viteve, përfaqësuesit e popullit (deputetët) janë marrë me këto tema por që asnjëherë gjatë këtyre viteve nuk është ftuar seancë e rregullt apo e jashtëzakonshme e Kuvendit që të diskutohet mbi shkaktarët e rritjes së Kriminalitetit institucional, asnjëherë nuk është diskutuar e thirrur asnjë seancë për mungesën e vullnetit politik e përgjegjësve në dikasteret përkatëse në zbatimin e ligjit, e tashmë së fundmi Kosova po merr edhe një epitet të ri, atë të trafikimit të qenieve njerëzore.
Si përfundim, zgjidhja e problemeve të Kosovës nuk varet nga qeveritë kukulla e as atyre të instrumentalizuara nën hijen e krimit e korrupsionit, individ të kapura nga shërbimet e ndryshme, zgjidhja e problemeve të qytetarit kosovarë mundë të bëhet realitet nëse këtij qytetari i rritet vetëdija në përzgjedhjen e deputetëve në Kuvendin e Kosovës gjatë zgjedhjeve parlamentare, që kjo përzgjedhje të jete zëri i qytetarit të Kosovës e kurrsesi dështimi i tij në institucioni më të lartë të Republikës së Kosovës, Kuvendi.