Ballina Lajmet Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën kundër raportit të Dick Martyt

Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën kundër raportit të Dick Martyt

Parlamenti shqiptar miratoi sot me 125 vota pro rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t për Kosovën.

Rezoluta e propozuar nga shumica i konsideron të pabaza pretendimet e ngritura në vitin 2011 nga një raport i asamblesë së Këshillit të Europës, sipas të cilit gjatë luftës në Kosovë është kryer trafik organesh njerëzore nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Autoritetet deklaruan se do të kërkojnë nga Këshilli i Evropës rishikimin e rezolutës së vitit 2011 duke qenë se të gjithë hetimet e deritanishme nuk kanë nxjerrë asnjë provë apo fakt të tillë.

Seanca e parlamentit u shoqërua me debate të forta dhe akuza të ndërsjella mes shumicës dhe opozitës për qëndrimet e palëve ndaj zhvillimeve në Kosovë.

Raporti i të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty ishte zanafilla që çoi më pas në ngritjen e një Gjykatë të Posaçme për krime lufte në Kosovë, me seli në Hagë.

Mes akuzave të shumta raporti ngrinte pretendime për përfshirjen e drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në trafik organesh njerëzore, të shtrirë deri në Shqipëri.

Pas 11 vitesh, parlamenti shqiptar, në një rezolutë të posaçme, vlerëson se pretendimet e ngritura, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare dhe se vetë aktakuza e ndaj ish presidentit Hashim Thaçi dhe udhëheqësve të tjerë të ish Ushtrisë Çlirimtare, ishte një provë se asgjë e tillë nuk ka ndodhur.

Rezoluta kërkon që Këshilli i Evropës të rishikojë aktin e miratuar prej tij në 2011, dhe kryeministri Edi Rama tha se këtë Shqipëria do ta kërkojë me ngulm në Strasburg.

Të dyja palët akuzuan njëra tjetrën se e kanë përdorur Kosovën për lojërat të politikës së brendshme.

Akuzat e shumta sollën dhe momente tensioni në sallë, mes tij dhe ish kryeministrit Sali Berisha.

Exit mobile version