Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në seancën e sotme plenare projektligjin “Për Bankën Shqiptare të Zhvillimit”, raporton Anadolu.
Projektligji i cili u miratua me 70 vota pro, 16 kundër dhe 1 abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë ka për qëllim krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, si dhe përcaktimin e rregullave për regjistrimin, organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë së saj.
Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit në Qeverinë e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, në fjalën e saj në seancë u shpreh se kjo bankë përfaqëson jo vetëm një institucion financiar, por sipas saj shprehjen konkrete të një vullneti politik dhe të një vizioni për një ekonomi më të fortë, më moderne dhe më gjithëpërfshirëse.
“Krijimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit përbën një hap kyç në sigurimin e një mekanizmi të qëndrueshëm për financimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë. Përvoja e bankave kombëtare të zhvillimit në Evropë, ka treguar se një institucion i tillë mund të ndihmojë në përthithjen dhe shpërndarjen efektive të fondeve duke siguruar që investimet të drejtohen në projekte që sjellin rritje afatgjatë”, tha ajo.
Ibrahimaj u shpreh se përvoja evropiane ka treguar se krijimi i institucioneve të specializuara në financim është një model i suksesshëm në nxitjen e rritjes ekonomike.
Sipas autoriteteve shqiptare, Banka Shqiptare e Zhvillimit ka si objektiv kryesor nxitjen e zhvillimit ekonomik, social e mjedisor, në përputhje me kërkesat e legjislacionit për ndihmën shtetërore.
Gjithashtu theksohet se një nga funksionet kyçe të bankës do të jetë plotësimi i boshllëqeve të tregut në sektorë strategjikë si bujqësia, teknologjia dhe energjitë e rinovueshme.
Sipas ligjit, Banka Shqiptare e Zhvillimit themelohet si person juridik në formën e një shoqërie aksionare, ku aksionari i parë i bankës është shteti shqiptar.
Seanca e sotme plenare ishte seanca e fundit para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.