Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kuvendi i Shqipërisë miraton projektligjin për forcën rezerviste

Kuvendi i Shqipërisë miraton projektligjin për forcën rezerviste

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Forcës Rezerviste në Republikën e Shqipërisë”, raporton Anadolu.

Projektligji u miratua me 76 vota pro, asnjë kundër dhe 6 abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë, pas një seancë maratonë, e cila mbylli edhe sesionin parlamentar për këtë vit.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, në fjalën e tij gjatë seancës theksoi se ligji do të mundësojë të rritet numri i forcave të armatosura për t’iu përgjigjur edhe rritjes të sfidave të ndryshme në fushën e mbrojtjes.

“Shërbimi rezervist është një shërbim vullnetar dhe do të jetë një komponent i mirëintegruar me forcën aktive, në funksion të rritjes së gatishmërisë dhe efikasitetit të mobilizimit të Forcave të Armatosura, në misione ushtarake, humanitare, apo civile, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ky shërbim do të ofrojë një fleksibilitet operacional duke mundësuar mobilizim të shpejtë gjatë krizave ose emergjencave”, është shprehur Vengu.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ligji parashikon rikthimin në Forcat e Armatosura të komponentit rezervist, i cili do të arrijë deri në 20 për qind të forcës aktive ose rreth 2.100 persona në 5-6 vitet e ardhshme.

Ligji ka për qëllim përcaktimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e shërbimit rezervist në Shqipëri, të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e shtetasve, të organeve shtetërore e subjekteve private për mobilizimin dhe shërbimin ushtarak rezervist.

Sipas autoriteteve shqiptare, ligji në fjalë do të shërbejë për të siguruar individë të trajnuar, me qëllim kompletimin e strukturës së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ruajtjen e nivelit të gatishmërisë dhe operacionalitetit të kërkuar.

Gjithashtu me këtë ligj synohet edhe rritja e kapaciteteve të mbrojtjes, të nevojshme në rastet e përkeqësimit të gjendjes së sigurisë.

Gjatë seancës u diskutua dhe u miratuan edhe disa projektligje të tjera, si projektligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, projektligji “Për anulimin e masave administrative” dhe projektligje të tjera, ndërkohë seanca e djeshme u përfshi edhe nga debatet.

Exit mobile version