Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në tërësi buxhetin për vitin 2025 pas diskutimeve të deputetëve në seancën e sotme, raporton Anadolu.
Pas diskutimeve që zgjatën disa orë, Projektligji “Për buxhetin e vitit 2025” u miratua me 75 vota pro, 24 kundër dhe asnjë abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.
Më 19 nëntor, Projektligji “Për buxhetin e vitit 2025” u miratua në parim, ndërkohë, amendamentet e partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë, nuk u miratuan.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, lidhur me amendamentet e PD-së, sidomos për përcaktimin e minimumit jetik, deklaroi se minimumi jetik në masën 200 euro “është një propozim aspak serioz dhe nuk mund të vendoset i pastudiuar”.
“Politikat e mirëqenies sociale të ndjekura nga qeverisja socialiste në këto vite kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të përqendruara së pari në rritjen e punësimit, në rritjen e pagave, në rritjen e pagës minimale”, tha Koçiu.
Koçiu tha se synimi kryesor është që të forcojnë programet e punësimit dhe të integrimit të gjithë atyre që kanë nevojë për punë dhe janë forcë aktive pune.
Projektbuxheti për vitin 2025 është planifikuar të jetë në vlerën 8,2 miliardë euro.
I pranishëm në seancën e sotme ishte edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, pasi disa ditë më parë, ndaj tij gjykata hoqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.