Kuvendi do ta diskutojë javën e ardhshme buxhetin e vitit 2025, opozita s’do ta votojë

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka bërë të ditur se të hënën e ardhshme është vendosur të mbahet seanca në të cilën do të diskutohet buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Gashi ka thënë pas mbledhjes së kryesisë të hënën, se do të jetë një seancë dinamike.

“U vendos qe ditën e hënë të jetë një seancë, diskutimi i buxhetit të Republikës. Do të jetë një seancë dinamike që e ka një fokus të veçantë. Vendimmarrja në Kuvend vazhdon të jetë e vështirësuar. Ne si grup parlamentar i LDK-së do të jemi prezent. Java e ardhshme do të jetë përcaktuese në mënyrën se si do te shihet buxheti i ardhshëm”, është shprehur Gashi.

Ai ka thënë se LDK-ja nuk do ta votojë buxhetin.

“Jo, ne nuk e votojmë buxhetin. Ne do të japim vërejtjet tona, propozimet tona dhe nëse ato merren në konsideratë atëherë do ta shohim si mundësi. Ky buxhet i ka edhe dy probleme ligjore dhe kushtetuese të cilat LVV-ja ose Qeveria e Kosovës në fakt i ka propozuar gabimisht. E para ka të bëjë me ndërhyrja e buxhetit të shtetit në Ligjin për Pagat për Sektorin Publik. Pra, tentojnë që me një ligj të karakterit vjetor, se ju e dini që buxheti ka fuqi vjetore, hyn me 1 janar dhe përfundon me 31 dhjetor të çdo vitit në fuqi, të ndryshojnë një ligj bazik i cili është Ligji për Pagat e Sektorit Publik. Ndërhyrja e dytë e këtij ligji, pra e Ligjit të Buxhetit është që tentojnë të bëjnë këta në ligjin për pronën e paluajtshme është e njëjta vlen sepse në ligjin specifik ndërhyhet me një ligj të karakterit të përkohshëm. Të dyja këto janë shkelje ligjore, te dyja ligjet i kanë bërë këta, te dyja i ka bërë dhe i ka bërë gabim dhe tashmë mundohet me i ndryshu me një ligj tjetër që ka karakter të përkohshëm, që është ligi për buxhetin dhe është ndërhyrje skandaloze në sistemin ligjor të Kosovës”, ka deklaruar Gashi.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka deklaruar pas mbledhjes së kryesisë se buxheti i vitit të ardhshëm e konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik.

Tahiri ka thënë se edhe AAK-ja do ta kundërshtojë buxhetin.

“Buxheti i kësaj qeverie, është buxheti i cili e konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik. Është buxhet i cili ja ka varros shpresën 80 mijë njerëzve që punojnë në shtetin e Kosovës për një pagë të dinjitetshmme është buxhet i cili realisht nuk ka asnjë projekt kapital të rëndësishëm dhe është buxhet i cili nga ne do të kundërshtohet fuqishëm dhe është buxhet që duhet të rishikohet në mars të vitit të ardhshëm. E mira e kësaj pune është që me 9 shkurt janë zgjedhjet, pas 9 shkurtit do të ketë një qeveri tjetër dhe ajo qeveri duhet të rishikojë në plotni këtë buxhet”, ka thënë Tahiri.