Ballina Lajmet Kosovë Kuvendi dështon sërish ta miratojë Projektligjin për shëndetin riprodhues

Kuvendi dështon sërish ta miratojë Projektligjin për shëndetin riprodhues

Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta kalojë Projektligjin për shëndetin riprodhues (IVF) – i cili ua mundëson grave të kenë qasje në IVF pa marrë parasysh se a janë beqare, në një çift homoseksual apo heteroseksual – në lexim të dytë gjatë një seance të enjten.

Kjo është hera e gjashtë që deputetët dështojnë ta kalojnë këtë projektligj, i cili është zvarritur prej fillimit të këtij viti, për shkak të disa ndryshimeve që ka kërkuar deputeti i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Visar Korenica.

Korenica ka propozuar ndryshime, duke kërkuar që prej legjislacionit të largohen tre paragrafë të cilët parashohin se e drejta për riprodhim u takon edhe individëve, përveç çifteve të martuara (burrit dhe gruas).

Si referencë për individë, ai i ka përmendur gratë e pamartuara dhe partnerët e gjinisë së njëjtë.

Të enjten, Kuvendi nuk kishte kuorum të mjaftueshëm për ta votuar amendamentin e tij.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës tha në fillim të këtij muaji për Radion Evropa e Lirë se nuk do të duhej që fati i askujt të varej nga bindjet personale të ndonjë individi që ka pushtet të marrë vendime për jetën e të tjerëve.

“Do të duhej të bëhej një analizë se kush janë këta deputetë dhe cilat janë interesat e tyre, nëse janë kaq të vendosur atëherë do ta ndalonin si procedurë edhe nëpër klinikat private, mirëpo në një anë duket sikur ka një interes që disa biznese të mbrohen”, thotë Berisha.

Korenica gjithashtu kërkon që në projektligj të mos jetë individi ai që vendos të ketë fëmijë, por të jetë vendim i çiftit.

“Vetëm çiftet bashkëshortore kanë të drejtë për të vendosur me vullnetin e tyre për të pasur fëmijë dhe assesi individi, apo gruaja e pamartuar duke ia mohuar të drejtën fëmijës të ketë baba edhe nënë”, kishte thënë Korenica gjatë një seance më herët këtë vit.

Kjo është hera e gjashtë që ky legjislacion dështon të kalojë në Kuvend.

Në tetor të vitit të kaluar, pas shumë përpjekjesh, Kuvendi kishte arritur që me 63 vota për, një kundër dhe katër abstenime ta miratonte në lexim të parë këtë projektligj.

Ky legjislacion ua mundëson edhe grave të pamartuara të mund të lindin fëmijë përmes metodës të fertilizimit të asistuar, i njohur si IVF, në klinikat publike.

Ky ligj ishte kundërshtuar ashpër nga një pjesë e deputetëve.

Sipas projektligjit, të drejtën e shfrytëzimit të IVF-së e kanë edhe gratë e pamartuara, mbi moshën 18-vjeçare, që janë në gjendje të mirë shëndetësore e sociale dhe janë të afta “për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore”.

Kosova ka një repart të posaçëm për IVF-në në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Por, ai nuk është funksional pasi nuk ka pajisjet e nevojshme. Për pajisjet e këtij reparti, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 1.5 milion euro.

Exit mobile version