Ballina Lajmet Kosovë Kushtetuesja rrëzon disa nene të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për...

Kushtetuesja rrëzon disa nene të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil

Gjykata Kushtetuese të enjten ka rrëzuar nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, i cili u dërgua për shqyrtim nga kryetari grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe nga Besian Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe 20 deputetë të tjerë.

Sipas vendimit, Kushtetuesja ka konstatuar se nenet 2, 7 dhe 8 të këtij Ligji nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike] “në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës]”.

Neni 6 i Ligjit të kontestuar, sipas Kushtetueses, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil].

“Nenet 9, 10 dhe 11 nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës”, thuhet në njoftim.

Kushtetuesja ia ka dërguar presidentes Vjosa Osmani ligjin për dekretim “sipas modaliteteve të përcaktuara në aktgjykimin e Gjykatës dhe pa nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar”.

Ligji për këshillin e pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil ishte miratuar në Kuvend gjatë vitit 2023.

Më herët gjatë ditës, Kushtetuesja i dha të drejtë Qeverisë për Ligjin për investime të qëndrueshme, pas shqyrtimit të kërkesës së deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës për vlerësim.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës të enjten ka publikuar edhe vendimin lidhur me kërkesën e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala dhe nëntë të tjerëve lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se nenet e kontestuara nga deputetët nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligji nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme, i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje.

Exit mobile version