Një gjyqtar i vetëm i Kolegjit të shkallës së parë të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, nga EULEX-i ka thënë se Ligji për Trepçën është antikushtetues. Me këtë rast, Supremja i ka dërguar kërkesë Gjykatës Kushtetueses për ta shfuqizuar Ligjin për Trepçën.
“Kjo kërkesë tashmë është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo do të procedohet dhe do të shqyrtohet si edhe çdo kërkesë tjetër e parashtruar në Gjykatë”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses për Telegrafin.
Gjyqtari i EULEX-it ka arritur në përfundim se ligji është antikushtetues për dy arsye të ndryshme, që të dyja të bazuara në të drejtave themelore që e garantojnë pronën (neni 46 i Kushtetutës).
“Së pari, ligji ka efektin e një shpronësimi pa kompensim në dëm të paditësit, i cili është një kreditor i Trepçës. Së dyti, shpronësimi i pjesshëm kryhet në dobi të personave privat pa ndonjë arsyetim”, thuhet në arsyetimin e tij.