Kushtetuesja në Spanjë hedh poshtë padinë e Qeverisë së Katalonjës

Gjykata Kushtetuese e Spanjës njoftoi se nuk do të shqyrtojë padinë të cilën e ka ngritur Qeveria e shkarkuar e Katalonjës për shkak të masave të jashtëzakonshme, të cilat i aktivizoi Qeveria spanjolle për të ndaluar procesin e shkëputjes së rajonit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga Gjykata Kushtetuese të premten u tha se nuk mund të shqyrtojnë padinë, meqë Qeveria rajonale katalane “shumë herët” e ka dorëzuar. Gjykata theksoi se padia është dorëzuar para se Senati të aprovojë aktivizimin e nenit 155 të kushtetutës, që Qeverisë qendrore i mundësoi sërish të vendos “sundimin e ligjit në Katalonjë.”

Gjykata Kushtetuese po ashtu vendosi që të hedh poshtë tre ligje të cilat i miratuan deputetët në Parlamentin e Katalonjës si pjesë e referendumit të paligjshëm për ndarje të mbajtur më 1 tetor.

Gjykata më 17 tetor, vendosi se thirrja për referendum ka qenë e paligjshme, meqë vetëm Parlamenti i Spanjës mund të merret me çështjet e sovranitetit shtetëror dhe se sipas Kushtetutës së Spanjës, vendi është i pandashëm.