Me 20 dhjetor të vitit të kaluar, kabineti qeveritar kishte vendosur për rritjen e pagave për zyrtarët e saj, duke i nivelizuar sadopak me pagat e zyrtarëve të Kuvendit të Kosovës dhe të presidencës.
Por, ky vendim i qeverisë u kritikua nga një grup deputetësh, të cilët kanë paga të majme. Madje ata lëndën e dërguan edhe në Gjykatën Kushtetuese e cila vazhdon ta trajtoi rastin.
E derisa lënda është ende në procedurë, kryeministri Haradinaj ka vendosur ta pezulloi këtë vendim deri në nxjerrin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo e fundit ndonëse ka pranuar rastin që një kohë të gjatë, ende nuk e ka dhënë fjalën e saj përfundimtare.
“Kjo lëndë është ende në fazën e shqyrtimit dhe Gjykata nuk ka marrë vendim. Nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje të Gjykatës në këtë rast”, ka thënë për Indeksonline, Drejtori i Zyrës për Komunikim nga Gjykata Kushtetuese, Veton Dula.
Ndërkohë sipas tij, kohëzgjatja e vendimmarrjes së gjykatës në kërkesat e parashtruara nuk varet medoemos nga koha e parashtrimit të tyre, por nga përmbajtja e lëndës që duhet trajtuar.