Kushtet e “La ilahe il la llah”

Vërtet të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë! I kërkojmë Allahut mbrojtje dhe strehim nga të këqijat e veteve tona dhe pasojat e veprave tona! Kë e udhëzon Allahu, nuk ka kush e humb dhe kë e lë në humbje nuk ka udhëzues për të! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, i Vetëm e i pa ortak dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguari i Tij!

“O ju të cilët keni besuar, kijeni frikë Allahun siç i takon Atij dhe mos vdisni ndryshe përveçse duke qenë muslimane”[1]

“O ju njerëz, kijeni frikë Zotin tuaj i Cili ju krijoi ju prej një veteje të vetme dhe krijoi prej saj palën, dhe krijoi prej atyre të dyve shumë burra dhe gra! Kijeni frikë Allahun (me emrin e të Cilit) kërkoni të drejtat e ndërsjellëta! Vërtet që Allahu është mbikëqyrës permbi ju”[2]

“O ju të cilët keni besuar, kijeni frikë Allahun dhe thoni fjalë të drejta, (me qëllim që Allahu) t’ua përmirësojë veprat dhe t’ua falë gjynahet! Dhe cilido që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij vërtet që ka fituar me një fitore madhështore!”[3]

Vërtet thënia më e sinqertë është fjala e Allahut dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhammedit (a.s) dhe çështjet më të këqija janë ato të shpikurat në fe! Sepse çdo shpikje në fe është bidat dhe çdo bidat është humbje dhe çdo humbje e ka vendin në zjarr!

Ka thënë i Dërguari i Allahut (a.s): “Imani është shtatëdhjetë e ca degë, më e larta e tyre është dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, më e ulëta është të largosh një pengesë nga rruga, madje edhe turpi është degë prej degëve të imanit. (besimit)”

Përderisa kjo dëshmi madhështore është dega më e lartë e besimit, atëherë patjetër meriton të sqarohet dhe qartësohet. Kjo dëshmi mohon adhurimin nga çdokush tjetër përveç Allahut, dhe pohon adhurimin në mënyrë të veçantë vetëm për Allahun. Pra dy shtyllat e kësaj dëshmie janë mohimi dhe pohimi. Mohimi i adhurimit nga çdokush tjetër përveç Allahut dhe pohimi i adhurimit vetëm për Allahun. Një të Vetëm.

Siç thotë i Lartësuari: “Kjo sepse Allahu, Ai është i Vërteti dhe se çdo gjë që lusin përveç Tij ajo është e kota!”[4]Gjithashtu thotë Allahu i Lartësuar: “Nuk ka imponim në fe, sepse vërtet që është bërë i qartë udhëzimi prej humbjes, prandaj ai i cili e mohon tagutin dhe beson Allahun vërtet që është kapur pas lidhjes më të fortë e cila nuk ka shkëputje dhe vërtet Allahu është Degjuesi, i Gjithdituri”[5]

Kjo dëshmi madhështore për të cilën janë krijuar qiejt dhe toka, çka ka në to dhe midis tyre, për, të cilën janë ndarë krijesat në besimtarë dhe mohues, në të lumtur dhe të mjerë, ka shtatë kushte të cilat duhet të përmbushen.

Kushti i parë: Dija

Thotë Allahu i Lartësuar: “Pra dije se nuk ka të adhuruar tjeter me të drejtë përveç Allahut.”[6] Ka thënë i Dërguari i Allahut (a.s): “Kush vdes duke e ditur se nuk ka të adhuruar tjeter me të drejtë përveç Allahut, futet në Xhenet!”[7]

Kushti i dytë: Siguria

Thotë Allahu i Lartësuar: “Vërtet që besimtarë janë ata të cilët besojnë Allahun dhe të Dërguarin e më pas nuk luhaten (në besimin e tyre).”[8] Ka thënë i Dërguari i Allahut (a.s): “Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Tij! Nuk e takon Allahun me kto të dyja ndonjë rob, pa dyshuar në to, përveçse futet në Xhenet.”[9]

Kushti i tretë: Pranimi

Ka thënë Allahu i Lartësuar: “Vërtet ata ishin që kur u thuhej atyre thoni se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut mbaheshin me arrogancë dhe mendjemadhësi dhe thonin: A vërtet ne do t’i braktisim të adhuruarit tanë për shkak të një poeti të çmendur?! Përkundrazi, ai ka ardhur me të Vërtetën dhe është vërtetues i të dërguarve përpara tij.”[10]

Kushti i katërt: Nënshtrimi

Thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe vërtet që ai i cili e nënshtron fytyrën e tij (duke ju përulur) Allahut dhe është vepër mirë padyshim që është kapur pas lidhjes më të fortë dhe tek Allahu është përfundimi i çdo çështjeje.”[11]

Kushti i pestë: Vërtetësia

Thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe prej njerëzve ka nga ata që thonë : kemi besuar në Allahun dhe në Ditën e Fundit, porse ata nuk janë besimtarë. Përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe ata të cilët besojnë por nuk mashtrojnë askënd përveçse vetet e tyre porse nuk e ndjejnë. Në zemrat e tyre kanë sëmundje (hipokrizi) dhe Allahu ua shton më shumë sëmundjen dhe vërtet që atyre u takon një dënim i dhimbshëm për shkak se ata gënjenin.”[12] Ka thënë i Dërguari i Allahut (a.s): “Kush dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij me vërtetësi nga zemra e tij, vërtet që Allahu ja ka ndaluar zjarrit atë person.”

Kushti i gjashtë: Sinqeriteti

Thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe nuk u urdhëruan për tjetër përveçse që të adhurojnë Allahun, Një të Vetëm dhe ta kryejnë fenë me sinqeritet për të.”[13]

Kushti i shtatë: Dashuria

Thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe ka prej njerëzve të cilët marrin përveç Allahut (për adhurim) ortakë, të cilët i duan siç duhet Allahu, porse ata që besojnë Allahun një të Vetëm e duan më shumë Allahun.”[14]

Imam-hatib: Alfred Qesku

[1] – Sure Ali Imran: 102.

[2] – Sure Nisa: 1.

[3] – Sure Ahzab: 70.

[4] – Sure Haxh: 62.

[5] – Sure Bekare: 256.

[6] – Sure Muhamed: 19.

[7] – Muslimi.

[8] – Sure Huxhurat: 15.

[9] – Muslimi.

[10] – Sure Saffat: 35.

[11] – Sure Lukman: 22.

[12] – Sure Bekare: 8 – 10.

[13] – Sure Bejjine: 5.

[14] – Sure Bekare: 166.