Kush rrezikohet nga infeksioni i mëlçisë, si hetohet

Hepatiti B është një infeksion i mëlçisë i rrezikshëm për jetën, që shkaktohet nga virusi i hepatitit B, mund të shkaktojë sëmundje kronike të mëlçisë, dhe i vë njerëzit në rrezik të lartë vdekjeje nga cirroza dhe kanceri i mëlçisë.

Hepatiti B është një infeksion viral i mëlçisë i shkaktuar nga virusi i hepatitit B, që mund të shkaktojë infeksion akut dhe kronik të saj. Virusi i hepatitit B transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjakun ose lëngje të tjera trupore (p.sh. sperma apo sekrecionet vaginale) të një personi të infektuar.

Vlerësohet se rreth 240 milionë njerëz janë me infeksion kronik të hepatitit B. Më tepër se 686.000 persona vdesin çdo vit nga hepatiti B; duke përfshirë cirrozën dhe kancerin e mëlçisë. Hepatiti B është një rrezik i rëndësishëm në punë për punonjësit e shëndetësisë. Megjithatë, hepatiti B mund të parandalohet me vaksinën e sigurt dhe efektive që aktualisht është në dispozicion.

Hepatiti B

Hepatiti B është një infeksion i mëlçisë i rrezikshëm për jetën, që shkaktohet nga virusi i hepatitit B. Hepatiti B është problem madhor global shëndetësor. Ai mund të shkaktojë sëmundje kronike të mëlçisë, dhe i vë njerëzit në rrezik të lartë vdekjeje nga cirroza dhe kanceri i mëlçisë. Kanceri i mëlçisë është pothuajse gjithmonë fatal, dhe shpesh zhvillohet te persona në moshën më produktive.

Transmetimi

Virusi i hepatitit B mund të mbijetojë jashtë trupit së paku për 7 ditë. Gjatë kësaj kohe, virusi mund të shkaktojë infeksion nëse hyn në trupin e një personi i cili nuk është i mbrojtur nga vaksina. Në zonat me përhapje të gjerë të hepatitit B, zakonisht ai përhapet nga nëna te fëmija gjatë lindjes ose gjatë ekspozimit ndaj gjakut të infektuar, nga një fëmijë i infektuar te një fëmijë i painfektuar gjatë 5 viteve të para të jetës.

Gjithashtu, virusi i hepatitit B transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjakun e infektuar apo me lëngje të tjera të trupit (si lëngjet vaginale, menstruale, sperma) të një personi të infektuar. Transmetimi seksual i hepatitit B mund të ndodhë veçanërisht në meshkujt e pavaksinuar që kryejnë seks me meshkuj, te personat heteroseksualë që kanë shumë partnerë seksualë, si dhe nga kontaktet me punonjësit e seksit.

Transmetimi i virusit mund të ndodhë edhe nëpërmjet ripërdorimit të ageve e shiringave në mjediset e kujdesit shëndetësor ose në persona që injektojnë drogë. Përveç kësaj, infeksioni mund ndodhë gjatë procedurave mjekësore, kirurgjike dhe dentare, bërjes së tatuazheve ose nëpërmjet përdorimit të makinave të rrojës dhe objekteve të ngjashme që janë të ndotura me gjak të infektuar.

Shenjat

Shumica e njerëzve nuk përjetojnë asnjë shenjë gjatë fazës akute të infeksionit. Megjithatë, disa njerëz shfaqin shenja që zgjasin disa javë duke përfshirë zverdhje të lëkurës dhe syve, urinë të errët, lodhje ekstreme, të përziera, të vjella dhe dhimbje barku. Një pjesë e personave me hepatit mund të zhvillojnë dëmtim akut të mëlçisë që mund të çojë në vdekje.

Te disa njerëz, virusi i hepatitit B mund të shkaktojë infeksion kronik të mëlçisë, që më vonë mund të kalojë në cirrozë dhe kancer të mëlçisë. Mbi 90% e të rriturve të cilët janë të infektuar me virusin e hepatitit B por që nuk kanë komplikacione, do të shërohen natyrshëm nga virusi brenda vitit të parë.

Diagnoza

Një numër testesh gjaku janë në dispozicion për të diagnostikuar njerëzit me hepatit B. Diagnoza laboratorike e infeksionit të hepatitit B fokusohet në zbulimin e antigjenit të virusit të hepatitit B-HBsAg. Prania e HBsAg për të paktën 6 muaj është shënues kryesor i rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve kronike të mëlçisë-cirrozës dhe kancerit të mëlçisë.

Trajtimi

Nuk ka trajtim specifik për hepatitin akut B. Hepatiti kronik B mund të trajtohet me medikamente, duke përfshirë preparate antivirale nga goja. Trajtimi mund të ngadalësojë progresin e cirrozës së mëlçisë, redukton incidencën e kancerit të mëlçisë dhe përmirëson mbijetesën afatgjatë.

Në shumicën e njerëzve trajtimi nuk shëron infeksionin e hepatitit B, por vetëm pengon shtimin e virusit. Prandaj shumica e njerëzve që fillojnë trajtimin e hepatitit B duhet ta vazhdojnë atë gjithë jetën.

Parandalimi

Një vaksinë kundër hepatitit B është në dispozicion që nga viti 1982, duke parandaluar infeksionin dhe pasojat kronike të tij. Vaksina është 95% e efektshme në parandalimin e infeksionit dhe pasojave kronike të tij, hepatitit kronik, cirrozës dhe kancerit të mëlçisë.

OBSH-ja rekomandon që gjithë fëmijët të marrin vaksinën e hepatitit B sa më shpejt të jetë e mundur pas lindjes, mundësisht brenda 24 orëve. Kjo dozë pasohet nga 2-3 doza të tjera për të përfunduar gjithë skemën e vaksinimit./Mesazhi/